Këtë javë në Kosovë vinë rreth 250 qytetarë nga Amerika dhe Zvicra, shumica do të shkojnë në vetizolim

12:07 | 6 Maj 2020
Arbresh.info

Që prej rasteve të para me koronvirus në Kosovë, në aeroportin ndërkombëtarë të Prishtinës ‘Adem Jashari’ është reduktuar dukshëm numri i fluturimeve dhe aterrimeve.

Këto të fundit në të shumtën e rasteve kanë sjellë në vend qytetarët që kanë pasur urgjencë, shkruan arbresh.info.

Alban Zogaj, shef i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit ka thënë se gjatë kësaj jave do të realizohen dy udhëtime drejt Kosovës.

Ai për arbresh.info ka thënë se aeroplanët do të vinë nga Amerika dhe Zvicra.

“Po është fluturimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të bëhet më 9 maj dhe gjithashtu të shtunën është një fluturim që vie nga Zvicra”, ka thënë ai.

Zogaj ka shtuar se këto dy fluturime do të sjellin rreth 250 persona.

“Prej Amerikës do të vinë diku rreth 120 persona, e përafërsisht njëjtë do të ketë udhëtarë edhe nga fluturimi i Zvicrës”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur nëse të kthyerit në Kosovë do të shkojnë në karantinim, Zogaj ka thënë se një pjesë e madhe do të vetizolohen.

Kjo sipas tij pasi udhëtarët janë kryesisht të moshuar dhe të mitur.

“Nga Zvicra do të vinë kryesisht të moshuar dhe raste me probleme shëndetësore e që do shkojnë kryesisht në vetizolim, ndërsa nga Amerika do të ketë edhe nxënës të shkollave të mesme që janë nën 18 vjeç dhe të cilët do të shkojnë në vetizolim”, ka përfunduar ai.

Ndërsa nga aeroporti i Prishtinës kanë njoftuar se sot janë realizuar dy fluturime në shkuarje.

Të dy fluturimet janë realizuar drejt Gjermanisë.

“6 Maj 2020/dy fluturime EW5703 Prishtinë-Dusseldorf(ora 09:15) EUROWINGS EW5711 Prishtinë-Stuttgart(ora 09:55) EUROWINGS”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtin njoftim thuhet se fluturimet e radhës do të jenë më 13 maj./arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme