Google ADS

Këta persona nuk mund ta marrin vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19

08:29 | 13 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Edita Goranci-Haxhiu, shefe e departamentit të imunizimit në IKSHPK, ka treguar për arbresh.info kundërindikacionet e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19, se cilët persona nuk mund ta marrin vaksinën.

Ajo thotë se, vaksina nuk duhet të administrohet tek individët me një histori të reaksioneve të rënda alergjike.

Gjithashtu, nuk duhet të aplikohet doza e dytë tek personat që kanë pasur mpiksje gjaku me trombocite të ulëta, pas marrjes së dozës parë.

“Kundërindikacionet e vaksinës Oxford/Astra Zeneca kundër COVID-19, histori e reaksionit të rëndë alergjik (p.sh. anafilaksia) ndaj cilido nga përbërësit e vaksinës Veçanërisht, vaksina nuk duhet të administrohet tek individët me një histori të reaksioneve të rënda alergjike ndaj polietilen glikolit (PEG) ose molekulave të ndërlidhura. Personat me reaksion të menjëhershëm alergjik (p.sh. anafilaksia, urtikaria, angioedema, problemet e frymëmarrjes) ndaj dozës së parë nuk duhet të marrin doza të tjera. Nuk duhet të aplikohet doza e dytë personave që kanë pasur mpiksje gjaku me trombocite të ulëta (trombozë me sindromën trombocitopeni, TTS) pas marrjes së dozes parë”.

Sipas saj, kujdes duhet të kenë personat që marrin terapi antikoagulante ose ata me tromocitopeni, pasi që  mund të ndodh gjakderdhje ose mavijosje pas administrimit intramuskular tek këta individë.

“Kujdes për personat me histori të reaksionit të menjëhershëm alergjik ndaj ndonjë vaksine tjetër ose terapie me injektim, duhet të bëhet vlerësimi i rrezikut për të përcaktuar llojin dhe ashpërsinë e reagimit. Ata mund të marrin vaksinën, por duhet të këshillohen për rreziqet e zhvillimit të një reaksioni të rëndë alergjik. Këta persona duhet të vrojtohen për 30 minuta pas vaksinimit. Vaksinimi i personave me sëmundje akute me ethe (temperatura trupore mbi 38.5°C) ose me infeksion akut, përfshirë infeksionin simptomatik me SARS- CoV-2, duhet të shtyhet deri pas shërimit. Vaksina duhet të injektohet me kujdes tek individët që marrin terapi antikoagulante ose ata me tromocitopeni ose ndonjë çrregullim të koagulimit (siç është hemofilia) sepse mund të ndodh gjakderdhje ose mavijosje pas administrimit intramuskular tek këta individë”, thotë Goranci-Haxhiu.

Ndryshe,  aktualisht në Kosovë janë duke u përdorur vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer BioN/Tech./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme