Kështu u festua Dita e Gështenjës në Belle të Deçanit

16:30 | 5 Tetor 2019
A. B.

Një manifestim kulturor e me motive tradicionale është mbajtur sot në Deçan, duke shënuar kështu “Ditën e Gështenjës”. Aty u ekspozuan piktura e u mbajt edhe orë letrare me qëllim të promovimit të vlerave tradicionale dhe gështenjës. Ngjarja u organizua nga “Iniciativa për Zhvillim” dhe u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Deçanit.

Të rrethuar nga peisazhi i gjelbër i fshatit Belle, artistë të ndryshëm shqiptarë shpalosën veprat e tyre artistike, dhe u lexuan poezi kushtuarës gështenjës.

Ky aktivitet u mbajt në fillim të muajit tetor meqë ky muaj është koha kur në Deçan bëhet vjelja e gështenjave.

Kjo trevë njihet për hapësira me gështenja, të cilat në shumë raste edhe sigurojnë jetesën e banorëve të fshatit Belle dhe fshatrave të tjetra përreth.

Këtë e thotë edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, për të cilin gështenjat kanë rëndësi të veçantë, meqë sipas tij, ato kanë mundësuar shkollimin dhe veshmbathjen e tij dikur.

“Në një periudhë kohore kur unë kam qenë student, gjendja ekonomike në këtë vend, dhe gjithë ne studentët e asaj kohe edhe baballarët tanë përpara dhe gjeneratat më të vjetra se unë, mbijetesën e kanë bërë me gështenja, përveç me gjëra të tjera bujqësi e blegtori, por gështenja ka qenë një produkt i dhuruar prej Zotit që neve na ka mundësi me u shkollu, na ka mundësu me i ble teshat, këpucët, me pagu semestrin, me pagu banesat që me i kry studimet. Edhe gjyshet tona edhe stërgjyshërit tanë e kanë pasur një produkt të sigurte gjatë ecjes së tyre në këtë jetë dhe ka qenë një produkt që e ka mbajtë ekonominë familjare në këtë vend. Për atë është një tendencë e drejtë që ne me respektua këtë ditë, këtë produkt që e kemi dhuratë prej Zotit dhe po ashtu me bashku edhe disa evenimente të tjera që me bë më komplekse, në këtë rast sot jemi mundur me i paraqitë piktorët e Deçanit dhe krejt Kosovës, me i ftu poetët e krejt Kosovës dhe Deçanit, dhe në këto banerat jemi munduar me provmovu komunën e Deçanit me potencialin e produktet që i ka”, tha ai.

E Ajne Iberhysaj nga “Iniciativa për zhvillim” tregon që synojnë ta bëjnë tradicional ketë manifestim, që për herë të parë po mbahet në fshatin Belle.

“ Të promovohen vlerat tradicionale, turizmi lokal dhe gjithashtu vlerat natyrore të fshatit Belle. Të merr ky fshat pikërisht emërtimet përveç asaj që ka historike e kulturore, të merr edhe atë poetike”, tha ajo.

Duke prezantuar veprat e tyre, pjesë e manifestimit ishin artistë nga Deçani, vende të tjera te Kosovës, e madje edhe nga ata që jetojnë në diasporë.

Komuna e Deçanit njihet për sipërfaqe të madhe, cilësi dhe historik të gështenjave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme