Kështu do të festohet festa e Krishtlindjeve në Kosovë, pandemia Covid-19 po e zbehë atë

09:37 | 24 Dhjetor 2020
Arbresh.info

“Lindja e Jezu Krishtit sjell shpresë dhe gëzim për çdo besimtar”

Këto ishin fjalët e Don Fatmir Koliqit, famullitar në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë i cili në prag të Krishtlindjeve e shpjegon domethënien e kësaj feste.

Në një intervistë për arbresh.info Don Koliqi tha se këtë vit besimtarët e krishterë kanë shpresw më të madhe për shkak të sfidave dhe vështirësive që ka përjetuar njerizimi me kohën e pandemisë.

“Pikërisht lindja e Jezus Krishtit, e cila e ka ndryshuar kohën e njerizimit. Është një fillim i ri dhe një gëzim i ri që krishterët për çdo vit e ripërtërinë në zemrat e veta, e këtë vit në mënyrë të veçantë kur e kemi një kohë më të vështirë, më sfiduese e Krishtlindja ka me qenë një shpresë e re që mos të lodhemi, të shpresojmë për një ndryshim që do të vije pas një krize që po e përjeton njerizimi me pandeminë Covid-19”, tha Don Koliqi.

E besimtarët katolik ai thotë se këtë vit do i festojnë më ndryshe Krishtlindjet, se nuk mund ta realizojnë traditën e përvjetshme.

“Krishtlindjet festohen tradicionalisht në Kishën Katolike, fillon përgatitje një muaj më herët, me kohën që ne e quajmë koha e ardhjes, ku bëhen përgatitje të ndryshme për të festuar. Pastaj në natën e festës që është 24 dhjetor, gjithë katolikët marrin pjesë në meshën e shenjtë që është meshë solemne apo mesha e vigjiljes së krishtlindjes. Kurse në familje dhe me miq, me dekorime ëmbëlsira, por për fat të keq sivjet nuk mund të realizohet krejt ajo traditë. Si Ipeshkvi ne ju kemi dërguar priftërinjve, besimtarëve që të mund të festojnë në masa të reja, por, megjithatë të mos ndalet tradita jonë dhe ajo festa që na jep shpresë”, thënë Don Koliqi.

Organizimi i Meshës në Kishën Katolike nuk do të anulohet, po ashtu do te ketë edhe prezencë te njerëzve, por me numër të reduktuar.

Don Koliqi thotë se besimtarët duhet t’iu përmbahen masave të Qeverisë edhe gjatë Meshës.

“Mesha këtë vit do të mbahet me numër të reduktuar të besimtarëve, duke i mbajtë masat si maska distanca, për fat të keq nuk mund të marrin pjesë të moshuarit dhe fëmijët, por një kategori e cila do të mund të kujdesen që në këtë mesh mos të ketë ndonjë infektim. Për fat të mirë gjatë tërë kësaj kohe, gjatë këtij viti kishat tona gjithmonë kanë qenë të kujdesshme dhe asnjë rast nuk kemi nga meshat. Nuk kemi pasë as nga stafi të infektuar”, tha Koliqi.

Ai ka shpjeguar edhe me aktivitetet që janë marrë gjatë kohës së pandemisë.

“Gjatë gjithë kohës së pandemisë kemi vizituar edhe besimtarët, kemi organizuar edhe një aksion bamirësie që quhet “Pakoja e Krishtlindjes” që e kemi shpërnda për të gjithë ata që kanë nevojë dhe ndërkoha të njëjtën do ta vazhdojmë me bë edhe këto ditë. Këtë vit për fat të keq është rrit numri i familjeve që kanë nevojë, për shkak të pandemisë”, tha Koliqi

Gjithçka që mbahet brenda Kishës Katolike Don Koliqi thotë se janë lutjet që besimtarët shkojnë me i bë vazhdimisht.

“Ne gjatë kësaj kohe jemi reduktu vetëm në meshën e shenjtë që dmth vetëm në lutje. Ndërsa aktivitetet kulturore e aktivitetet tjera të mëdha që i kemi pas, kemi heq dorë prej tyre dhe deri të mbyllet kjo periudhë nuk do mund të kemi aktivitete të kësaj natyre. Njerëzit kanë ardhë individualisht apo me familje kanë ardhë me u lut, por jo me grumbullime të mëdha”, tha Don Koliqi.

Ai dha edhe një mesazh për krishtlindje për të gjithë besimtarët. Ku tha se duhet që këtë kohë ta kujtojmë dashurinë dhe butësinë e zotit, dhe se një dritë e re do të jetë shpresë për njerëzit.

“Mesazhi që jep krishtlindja është ajo butësia dhe dashuria e zotit që vjen ndër ne, pra edhe në kohë të krizave, në kohë të frikës dhe dhimbjes që ka qenë ky vit mos të harrojmë që zoti ka qenë afër nesh, është afër madje edhe më tepër në kohë krizash. Të besojmë se zoti është me ne dhe do ta ndryshoj situatën në të cilën jemi, sepse në kohën kur ka lind Jezusi nuk ka qenë e lehtë, ka qenë e vështirë dhe sfiduese dhe Jezusi e ka sjellë një dritë të re. Dhe kjo dritë e re të jetë edhe për neve një shpresë që të tejkalojmë sa më lehtë dhe sa më mirë”, tha Don Koliqi.

Betlehemi

Brenda Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë gjendet një punim artistik që e përshkruan lindjen e Jezu Krishtit në Betlehem.

“Çdo famulli në Kosovë dhe në botë e bënë në mënyrë artistike paraqitjen e lindjes së Jezu Krishtit dhe vendin ku ka lindur Jezusi dhe kjo paraqitet në mënyra të ndryshme, varësisht nga artistët edhe nga imagjinata, por sigurisht ato kryesoret janë të marra nga Ungjilli që na tregojnë si ka lind dhe ku ka lind Jezusi”

“Jozefi dhe Shën Maria kanë shkuar në vendin e paraardhësve të tyre dhe rrugës i vjen koha të lind Marisë, ndalen në Betlehem, por aty s’ka pas bujtina dhe për atë arsye paraqitet si një shpellë. Si një vend të lënë anash dhe kjo na tregon edhe një bukuri që çdo i pastrehë, që krishtlindja është shpresë e një të pastrehi”, tha ai.

Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët./arbresh.info/E.Haxhiu/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme