Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, anuloi vizitën në Kosovë, për “arsye familjare”.
Ka qenë e paraparë që Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takojnë pasditen e sotme udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se kryeministri Albin Kurti do të presë pasdite në takim vetëm Escobarin.
Vizita vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.
Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.
Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.
Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.
Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës. Rreth kësaj kërkese nuk pati reagim nga KFOR-i.
LEXO EDHE
Mevlani flet për videon e ish-të dashurës: Ka qenë e tepruar...
Panairi i Librit ul siparin, Tom Kuka shpallet autori më i m...
“Kam bërë tetë transfuzion gjaku dhe kam humbur 11 kg” – Tys...
Leo thotë se tek Lela e gjen qetësinë, Gjesti i bën pyetjen ...
Diddy akuzohet se ka tentuar të pengojë hetimin dhe ka ndiku...
Vetaksident në Duhël, kamioneta përfundon jashtë rrugës