Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen që është duke e mbajtur këtë të enjte, ka zgjedhur kryeprokurorët e ri të Prokurorive Themelore në Mitrovicë dhe Gjilan.
Prokurori Ismet Ujkani u zgjodh si kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. I njëjti nuk kishte asnjë kundër kandidat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deri më tani, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kishte qenë Shyqri Syla.
Kurse, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan u zgjodh prokurori Arben Kadriu.
I njëjti mori votat e gjashtë anëtarëve të KPK-së, kurse kundër kandidati i tij, prokurori Agron Uka mori pesë vota.
Deri më tash, kryeprokuror i Prokurorisë në Gjilan ka qenë Jetish Maloku.
Mandati i kryeprokurorëve është katër vjeçar dhe të njëjtit do fillojnë punën në këto pozita nga 1 janar 2021.
Paraprakisht në fillim të mbledhjes, KPK me shtatë vota për dhe katër abstenime votoi që të aprovohet raporti i Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për kryeprokuror. Sipas këtij raporti, refuzoheshin kundërshtimet e kandidatëve për kryeprokuror.
Ky raport përmbante edhe një pjesë ku propozohej që të aprovoheshin kundërshtimet e kandidatëve, Dëshirë Jusaj dhe Afrim Shefkiu për sa i përket siç tha kryetarja e komisionit, Ikramije Bojaxhiu, arsyetimit të mangët që ishte dhënë nga një anëtar i panelit vlerësues sa i përket poentimit.
Mirëpo, me shtatë vota kundër dhe katër abstenime, ku propozim i Komisionit u refuzua.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më 3 nëntor kishte shpallur konkurs për emërimin e kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorive Themelore të Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.
Këto konkurse kishin qenë të hapura nga 4 e deri më 18 nëntor 2020, ndërsa detyrën, të zgjedhurit do ta fillojnë më 1 janar 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, pak ditë para se të shpalleshin konkurset për kryeprokuror të ri, tre anëtar të KPK-së, Dëshirë Jusaj, Zejnullah Gashi dhe Arben Ismajli kishte dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre të anëtarëve të KPK. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 8 tetor 2020, kishte reaguar ndaj praktikës së dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me mundësinë për të aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të një prokurorie përkatëse.
Sipas IKD-së, zgjedhja eventuale e ish-anëtarëve të KPK-së, Zejnullah Gashi, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli në pozitën e Kryeprokurorit, duke dhënë dorëheqje pak para shpalljes së konkursit për kryeprokurorë të shumicës së prokurorive themelore, nëse dëshmohet se ka qenë me qëllim të zgjedhjes në këtë pozitë, është rast tipik i ndalesës së zyrtarit të lartë publik sipas nenit 18 të Ligjit nr.06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
IKD kishte kërkuar që me qëllim të shmangies nga konflikti i interesit, ruajtjes së integritetit të sistemit prokurorial dhe besimit të publikut në këtë sistem, të njëjtit anëtar mos të aplikojnë në pozitat për kryeprokurorë dhe nëse kjo ndodhë, KPK mos të lejojë kandidaturën e ish-anëtarëve Zejnullah Gash, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli.
Pas IKD-së, kishte reaguar edhe Ambasada Amerikane në Kosovës, e cila procesin e zgjedhjes së kryeprokurorëve dhe të anëtarëve të KPK-së e kishte quajtur sistem të prishur rrënjësisht, duke bërë të ditur se ishte tërhequr nga monitorimi i këtyre zgjedhjeve.
Po ashtu, duke cituar arsyet të ngjashme, nga monitorimi ishte tërhequr edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Pas këtyre reagimeve, Arben Ismajli dhe Zejnullah Gashi kishin revokuar dorëheqjet e tyre, ndërsa Dëshirë Jusaj nuk e kishte bërë një gjë të tillë. E njëjta tashmë ka kandiduar për tu zgjedhur kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Gjithashtu, gjatë mbledhjes të së hënës, KPK miratoi edhe rregulloren për angazhimin dhe përcaktimin e tarifave për kompensimin e përkthyesve dhe interpretëve që angazhohen në sistemin prokurorial.
Gjithashtu, kryesuesi Hyseni tha se ka ardhur një propozim nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, që në rend të ditës të vendoset edhe çështja e shtesave të lejuara që janë paraparë me ligj.
Pas votimeve për kryeprokuror, Këshilli votoi që të mbyll takimin për publikun, ku në vazhdim do të diskutohet për raportin e Komisionit për Rivlerësimin e Performancës së 4 prokurorëve. /BetimipërDrejtësi
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA
Cana: UEFA nuk duhet të na linte në grup me Serbinë