Google ADS

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara diskuton për Kosovën

09:47 | 21 Tetor 2020
Arbresh.info

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin gjashtëmujor mbi punën e Misionit të KB në Kosovë (UNMIK).

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, do të marrë pjesë përmes një video-lidhje në seancën e Këshillit të Sigurimit që mbahet në orën 16:00, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Në një raport të publikuar në faqen e internetit të OKB-së, sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres përshëndeti rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit, pas një pauze të gjatë dhe u bëri thirrje të dy palëve të tregonin fleksibilitet dhe kreativitet në përpjekjet për të kapërcyer dallimet.

Guterres mirëpriti angazhimin e udhëheqjes së Kosovës për të luftuar pandeminë, avancimin e dialogut me Beogradin dhe integrimin evropian dhe i bëri thirrje qeverisë së re të Kosovës që të vazhdojë të forcojë sundimin e ligjit, të mbështesë proceset e përgjegjësisë për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut dhe të marrë hapa vendimtar për të luftuar korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, raporton Beta, transmeton Klan Kosova.

Shefi i KB-sëu bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe akterëve ndërkombëtarë të sigurojnë mbështetje dhe bashkëpunim të plotë në përpjekjet e Gjykatës Speciale pasi kjo është “thelbësore për të ardhmen paqësore të Kosovës”.

Raporti përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2020.

Të ngjashme