Google ADS

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës reagon pas shkarkimit të Jonuz Salihaj

12:55 | 21 Shkurt 2019
Arbresh.info

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës, ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Drejtorit të Arsimit, Jonuz Salihaj, nga kryetari i kësaj Komune.

Ata kanë shprehur shqetësim rreth kësaj situate. Këshilli i prindërve thanë se Salihaj ishte njeri që kontribuoi në ngritjen e cilësisë së arsimit, e sipas tyre puna e Salihajt është dashur të vlerësohet dhe jo të dekurajohet apo të shkarkohet.

Veç tjerash nga ky këshill kanë theksuar se prioriteti i Salihajt interesi shoqërorë dhe jo ai personal.

Ky është reagimi i tyre i plotë:

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, si organi më i lartë përfaqësues i interesave të prindërve dhe nxënësve në kryeqytet dhe si një organ jopolitik e i pavarur në vlerësime e qëndrime, deklaron vlerësimin e lartë që ka për z. Jonuz Salihajn, si në aspektin profesional ashtu edhe atë njerëzor.

Ne besojmë se angazhimi i z. Salihaj ka qenë për t’u vlerësuar, mbështetur dhe përgëzuar e jo për t’u dekurajuar e shkarkuar.

Salihaj ka dëshmuar nivel të lartë të përgjegjësisë në përmbushjen e detyrave me të cilat ishte ngarkuar në pozitën e udhëheqësit të Drejtorisë për Arsim. Ai ka ofruar ide konstruktive, është angazhuar drejtpërdrejt dhe plotësisht në detyrën e tij dhe ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e kushteve për mësimnxënie për nxënësit dhe kushteve të punës për mësimdhënësit.

Për më tepër z. Salihaj, ka dëshmuar gatishmëri për të bashkëpunuar me të gjitha palët e interesit, të angazhuara për një qëllim të përbashkët, ngritjen e cilësisë në arsim si shtyllë kryesore për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, duke i kushtuar bashkëpunimit me prindër një rëndësi të veçantë dhe duke insistuar në funksionalizimin dhe fuqizimin e këshillave të prindërve si organe të pavarura përfaqësuese dhe vendimmarrëse.

Me pranimin e kësaj detyre, z. Salihaj kishte sakrifikuar interesin personal duke vendosur kështu prioritet interesin shoqëror. Andaj ne i jemi shume mirënjohës dhe falënderues z. Salihaj për shërbimin dhe kontributin!

Të ngjashme