Këshilli i Prindërve kundërshton pushimin një javor për nxënësit

19:12 | 16 Mars 2021
L G

Kryetar i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, ka thënë se kanë shprehur kundërshtitë e tyre për një pushim të parakohshëm në shkolla, por se u anashkaluan nga Ministria e Arsimit.

Ai tha se propozimi i fundit i Ministrisë së Arsimit që të gjitha institucionet arsimore anembanë vendit të shkojnë një javë në pushim për shkak të situatës me COVID-19 është në dëm të nxënësve.

“Jemi kundër një pushimi të parakohshëm sepse s’ka bazë dhe arsye për marrjen e këtij vendimi që ka marrë Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë. Është e paqëndrueshme. Në atë vendim s’ka masa të kufizimit për bizneset dhe institucionet të tjera që po punojnë. Pse pikërisht arsimit? Është për keqardhje që po vazhdon anashkalimi i zërit të Këshillit të Prindërve si kategori ligjore dhe që shkelet pikërisht nga ministri i Arsimit. IKSHPK s’mund të jetë përfaqësues i zërit tonë. Ne i kontestojmë”.

Reshiti në Info Magazine ka thënë se nxënësit dhe shkollat s’janë burim i përhapjes së infeksion derisa tregoi se kanë kërkuar edhe shifrat e nxënësve të infektuar.

“Në një sistem demokratik zëri i Këshillit duhet dëgjuar sepse si mekanizëm jemi i themeluar për këtë. E di mirë ministri se çfarë kategorie ligjore jemi. Kjo është në skajshmëri kundër ligjit”.

Ai tha se iu ka shkuar në mend edhe mbajtja e protestës, por se i kanë ikur këtij vendimi me qëllimin që të mos rëndojnë gjendjen e pandemisë në vend.

Reshiti thotë se shpreson që propozimet e tilla të mos jenë lojëra politike derisa tha se Qeveria dhe Ministria “janë në krizë dhe s’po dinë si të veprojnë”.

Të ngjashme