Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës reagon pas inicimit të shkarkimit të anëtarëve të saj

16:49 | 16 Qershor 2021
L G

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), ka reaguar ndaj inicimit të shkarkimit të anëtareve të saj nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Përmes një komunikate, KPMSHCK veprimin e Komisionit e ka quajtur cenim dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e tyre.

“Këshilli ka bazë të mjaftueshme të konsiderojë se qasja e fundit e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës, është cenim dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si institucion i pavarur që siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që e rregullojnë Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
KPMShCK konsideron se inicimi i procedurës për shkarkimin e anëtarëve të saj, i ngjan një gjyqi të njëanshëm me pasoja frikësimi, andaj i ka bërë thirrje Kryesisë së Kuvendit të marrë masa për këtë situatë.

“Inicimi i procedurës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pa u përmbushur asnjë kusht ligjor, i ngjan një gjyqi të njëanshëm me pasoja frikësimi, denigrimi publik e dekurajimi profesional për anëtaret e organeve të pavarura, gjyqtaret dhe prokuroret në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka reaguar edhe ndaj aludimeve nga anëtarët e Komisionit për Administratë Publike për anshmëri të Këshillit në rastin e zyrtarit N.K, duke thënë se pretendimet e tilla nuk qëndrojnë.

“Etiketimi i anëtareve të Këshillit, për gjoja anshmëri në vendosje lidhur me rastin e N.K është edhe i pabazë edhe i papranueshëm, e as pretendimet e deklaruara nga disa anëtarë të këtij Komisioni nuk qëndrojnë.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vendos vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave të dorëzuara nga palët dhe në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Si rrjedhojë siguron opinionin publik se edhe në rastin për të cilin aludohet, Këshilli ka vendosur mbi bazën e provave të dorëzuara nga palët në procedurë dhe në harmoni të plotë me legjislacionin e aplikueshëm”, vazhdon tutje komunikata.

Dje me gjashtë vota pro dhe katër vota kundër nga anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është miratuar inicimi i shkarkimit të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Të ngjashme