Google ADS

Këshilli i Ministrave të BE’së i jep një goditje Hashim Thaçit për Asociacionin

14:03 | 18 Qershor 2019
L G

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të muajit maj të këtij viti kishte deklaruar se nuk do të lejojë themelimin e kurrfarë lloji të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas tij, për themelimin e AKS-së ishte premtuar se do të ndodhte njohja e Kosovës nga Serbia, e meqenëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur, atëherë ai potenconte se Asociacioni është ‘punë e vdekur’.

“Në asnjë rrethanë, nuk do të lejojmë as Asociacion as ekzekutiv, as kurrfarë ..zero. Ka qenë kohë ndryshe kur ka ndodhë, është premtuar njohja, s’ka ndodhur, le ta harrojnë, ajo punë është e vdekur”, kishte deklaruar Thaçi më 30 maj, shkruan Gazeta Express.

Mirëpo në një dokument të Këshillit të Ministrave të BE-së, i është dhënë një goditje presidentit Thaçi, pasi ky institucion shpreh keqardhje që marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ende nuk është implementuar dhe nuk është bërë kurrfarë përparimi.

“Këshilli gjithashtu shpreh keqardhje që nuk është bërë progres për implementimin e marrëveshjeve të kaluara në dialog, përfshirë përgatitjen e draft-statutit e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, implementimin e plotë të marrëveshjes IBM(Menaxhim i Integruar i Kufijve), si dhe implementimin e marrëveshjes për Energjinë”, thuhet në dokument.

Ndër të tjera, Këshilli i Ministrave përsërit se të gjitha marrëveshjet e arritura nën ombrellën e BE-së, duhet të implementohen.

“Këshilli përsërit që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian duhet të implementohen. Këshilli mirëpret, konsolidimin e mëtejshëm të marrëveshjes për Drejtësi dhe implementimin e plotë të marrëveshjes për telekomin”, thuhet tutje.

Në këto konstatime dalin shqetësime edhe për mos hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, edhe përkundër faktit se rinovimi i saj ka përfunduar.

“Këshilli gjithashtu shpreh keqardhje që Ura e Mitrovicës ende nuk është hapur për trafik, pavarësisht se punimet për renovim janë kompletuar”, potencohet në pikën 52 të dokumentit.

Se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet implementuar, e kanë thënë dje në një përgjigje për Gazetën Express edhe nga zyra e BE-së në Kosovë.

Kërkesë për miratimin e ASK’së ka pasur edhe nga Ambasada e SHBA-së në Beograd.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme