Google ADS

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës vendosi për 14 ankesa

17:52 | 17 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e sotme të tij miratoi ankesën e Vlora Krasniqit kundër Veriu.info lidhur me artikullin me titull: “Mobile shop FITA e mashtroi, qytetarja e bën aktin patriotik”.

Portali në fjalë ka publikuar vetëm prononcimin e njërës palë ndërsa mungon prononcimi edhe i palës tjetër në mënyrë që artikulli të dilte i plotë. KMShK gjeti se është shkelur Kreu IV( E drejta për t’u përgjigjur) Të Kodit të Mediave të Shkruara.

U miratua edhe ankesa e Demira Krujezit kundër Veriu.info për shkrimin me titull: “Me foto të dimrit Ganja i serviloset Thaçit, në tentim për të marrë vëmendje në prag të zgjedhjeve (Foto)”. KMShK gjeti se ky është opinion e jo lajm, andaj është dashur të bëhet dallimindërmjet lajmit dhe opinionit.

Për këtë është shkelur Kreu II, pikë 4, të Kodit të Mediave të Shkruara.

Nuk u miratua ankesa e Vlora Krasniqit kundër Veriu.info lidhur me shkrimin me titull: “Profili i Safet Kamberit, kandidatit të LDK-së nga Mitrovica për deputet”.

Nuk u miratua as ankesa tjetër e Vlora Krasniqit kundër Veriu.info lidhur me shkrimin me titull: “Nga frika e Isa Mustafës, Vjosa Osmani fshinë postimin kundër tij (Foto)”.

Miratohet ankesa nga LDK-Donat Lushaku kundër Veriu.info lidhur me shkrimin me titull: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zhgënjyera me Vjosa Osmanin”. KMShK këtu gjeti se është shkelur Kodi i Mediave të Shkruara nga ana e portalit në fjalë.

KMShK-së miratoi ankesën e portalit KoSSeV kundër Ballkan.info, Insajderi dhe Gazeta Express. Këto media transmetuan artikullin me titull: “Sondazh interesant çka mendojnë serbet kur pyeten për njohjen e Kosovës si shtet”. Ankesa ka të bëjë me mos citimin e burimit të parë të lajmit të cilin e kanë marrë nga Portali KoSSeV.

U miratua pjesërisht ankesa e Fatmire Ahmetit kundër Gazeta Shneta, lidhur me shkrimin me titull: “Pacientët dyshohet se u infektuan me hepatit C gjatë dializës në QKUK për shkak të gabimeve të stafit”. KMShK gjeti se është shkelur Kreu IV (e drejta për t’u përgjigjur) Të Kodit të Mediave të Shkruara pasi infermires në fjalë nuk i është mundësuar që të prononcohet lidhur me këtë problem, si person i veçuar. KMShK miratoi ankesën e GAIA Kosova OJQ kundër mediave Periskopi dhe portalit të lajmeve RTKLive.com për shkrimin me titull: “Kush po dëshiron ikjen e investimeve të huaj”.

Bëhet fjalë për shkeljen e Kreut II (raportimi i së vërtetës) dhe Kreut IV (e drejta për t’u përgjigjur) të Kodit të Mediave të Shkruara.
KMShK nuk gjeti shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara për ankesën e Super Viva kundër Gazeta Blic për shkrimin me titull: “ Skandal Inspektorati konfirmon se Super Viva shet mish të prishur”.

Indeksonline ne shkrimin me titull: “Albin apo Lenin” ka bërë shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara, Kreut II (raportimi i së vërtetës), pikë 4, nuk është bërë dallimi ndërmjet lajmeve dhe opinioneve.

Nuk u gjet shkelje në ankesën e Vlora Krasniqit kundër Indeksonline lidhur me shkrimin “Publikohen shkrime nga ditari i Astrit Deharit kur po qëndronte në burg”. Pasi kjo temë paraqet ineres për publikun për shkak të rastit të rëndë.

Ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara në shkrimin e publikuar në Indeksonline me titull: “Avokati Gashi vazhdon ta keqpërdorë rëndë rastin e Astrit Deharit, hedh akuza mbi institucionet kosovare”. Ankesa ka ardhë nga Vlora Krasniqi. KMShK gjeti se në artikullin me titull: “Ulu se ta qorroj syrin” publikuar ne gazeta online Insajderi, mungon prononcimi i personit për të cilin është shkruar artikulli. Andaj ankesa u miratua pjesërisht për shkeljen e Kreut IV ( E drejta për t’u përgjigjir) të Kodit të Mediave të Shkruara.

Njësoj KMShK vendosi edhe për ankesën e Avokates Albana Kelmendi kundër Infokusi lidhur me shkrimin me titull: “Drejtoria e Arsimit thotë se arsimtarja që kërcënojë femijet ka probleme psikike”. Edhe në këtë rast ankesa u miratua pjesërisht vetëm për shkeljen e Kreut IV (E drejta për t’u përgjigjur).

Të ngjashme