Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian, i bëri thirrje Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe të luftojë me vendosmëri korrupsionin.
Këto thirrje janë pjesë e përfundimeve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian, i cili diskutoi të martën në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut.
Këshilli thekson se “korrupsioni dhe krimi i organizuar duhet të trajtohen me vendosmëri. Këshilli mbetet i shqetësuar me ndërhyrjet politike dhe rekrutimet jomeritore dhe i zhgënjyer me emërimin e të dënuarve për krime lufte në pozita zyrtare, gjë që është në kundërshtim me vlerat Evropiane”.
Këshilli rithekson rëndësinë e trajtimit të dobësive në proceset zgjedhore dhe përmend si shembull zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e komunave veriore të Kosovës që u mbajtën më 19 maj, e të cilat siç thuhet, “dëshmuan se pengesat mbeten, përfshirë veprimtaritë para zgjedhjeve që kufizuan përfshirjen e plotë demokratike në zgjedhje”.
Këshilli vë re me shqetësim se “situata e përgjithshme në veriun e Kosovës paraqet sfida të posaçme në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit dhe lirisë së shprehjes”.
Këshilli pohon se kërkohet forcim i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare si dhe të pjesëtarëve të pakicës rome.
Këshilli ka vënë re përparimin e Kosovës ne luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit. Ai kërkon përpjekje shtesë për të trajtuar financimin e terrorizimit sikurse edhe për rehabilitimin dhe ri integrimin.
Këshilli i bën thirrje Kosovës që të ndërmarrë masat e domosdoshme për t’iu përmbajtur rregullave fiskale, për të shtuar përpjekjet për të luftuar ekonominë joformale, për të trajtuar në mënyrë aktive papunësinë e lartë, sidomos papunësinë e të rinjve dhe grave, për të investuar më shumë në arsim dhe në energjinë e ripërtërishme.
Këshilli i kërkon Kosovës të vazhdojë përkushtimin ndaj Gjykatës së Posaçme për krime lufte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i kërkon Kosovës të bëjë “më shumë përpjekje dhe të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të favorshëm, si dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të përjetohet si provokim”. Këshilli nënvizon se “status quo-ja aktuale është e paqëndrueshme. Është me rëndësi thelbësore që bisedimet të rifillojnë sa më parë që është e mundur. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese, duhet të trajtojë të gjitha çështjet në pajtim me ligjin ndërkombëtar, parimet e BE-së dhe të ndihmojë qëndrueshmërinë rajonale”. Sipas Këshillit, përmbyllja pa zvarritje e një marrëveshjeje të tillë është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbinë në rrugën e tyre evropiane.
Këshilli kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por shpreh keqardhjen se “nuk është shënuar përparim në disa syresh, “përfshirë përgatitjet e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, zbatimin e plotë të marrëveshjes për ‘menaxhimin e integruar të kufirit’, si dhe të marrëveshjes për energjinë. Këshilli është i zhgënjyer me mos hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë”.
Në fund, Këshilli thekson se e di rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, një proces që është mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. “Vendimi për propozimin është duke u shqyrtuar nga Këshilli”, thuhet në përfundimet e tij.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?