KESCO thotë se çmimet e energjisë elektrike në Kosovë janë më të lirat në Rajon dhe Evropë

11:34 | 20 Shtator 2023
L G

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ka bërë të ditur se çmimet e energjisë elektrike në Kosovë janë më të lirat në Rajon dhe Evropë.

“Sipas Zyrës së Statistikave të Komisionit Evropian (Eurstat), Kosova kishte bindshëm çmimet më të lira të energjisë elektrike në Evropë, për vitin 2022, kur edhe janë bë matjet e fundit vjetore. Çmimet mesatare për shpenzimin mesatar të konsumit janë 6 cent për kilovat/orë që është afro 25 për qind më lirë se e dyta më e lira, që është Serbia me çmim 7 cent për kilovat/orë. Shqipëria, Bosna e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë çmimet nga 8 cent për kilovat/orë apo më tepër se 35 për qind më shtrenjtë se në Kosovë”, bënë të ditur KESCO, raporton Arbresh.info.

Sipas njoftimit të KESCO-së, Maqedonia e Veriut është edhe më e shtrenjtë, duke shënuar çmimi prej 10 cent për kilovat/orë që i bie afro 70 për qind më shtrenjtë se Kosova.

“Në këto matje janë të përfshirë vetëm konsumatorët e përmasave të mesme me një konsum vjetor prej 2500 kWh deri në 4999 kWh. Të gjitha vendet e BE-së kanë çmime së paku dyfish më të larta se Kosova. Vendi më i populluar i BE-së, Gjermania ka një çmim prej 28 cent për kilovat/orë apo 4.75 herë më tepër se në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Danimarka, Belgjika dhe Italia janë tri vendet e Bashkimit Evropian të cilat vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë për energji elektrike, bazuar në të dhënat e Eurostat-it për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022. Kurse sa i përket Rajonit, çmimet më të larta të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiakë i kanë Romania, Greqia dhe Kroacia.

Sipas Eurostat, në Danimarkë, 1 kilovat/orë energji elektrike kushton mesatarisht 47 cent, në Belgjikë 42 cent, kurse në Itali çmimi arrin në 33 cent.
Në Kosovë, çmimi për kilovat/orë është 6 cent, që i bie se është gati pesëfish më i ulët se në Romani, ku 1 kilovat/orë kushton 29 cent./Arbresh.info/

Çmimet në Evropë:

Kosova – 0.06 € kWh
Serbia – 0.07 € kWh
Bosnja dhe Hercegovina – 0.08 € kWh
Shqipëria – 0.08 € kWh
Mali i Zi – 0.08 € kWh
Hungaria – 0.09 € kWh
Bullgaria – 0.10 € kWh
Maqedonia e Veriut – 0.10 € kWh
Malta – 0.12 € kWh
Holanda – 0.12 € kWh
Islanda – 0.12 € kWh
Kroacia – 0.13 € kWh
Polonia – 0.15 € kWh
Sllovakia – 0.16 € kWh
Sllovenia – 0.17 € kWh
Portugalia – 0.19 € kWh
Finlanda – 0.19 € kWh
Norvegjia – 0.19 € kWh
Luksemburgu – 0.19 € kWh
Franca – 0.19 € kWh
Austria – 0.20 € kWh
Moldova – 0.20 € kWh
Lituania – 0.20 € kWh
Suedia – 0.20 € kWh
Lihtenshtajn – 0.22 € kWh
Estonia – 0.22 € kWh
Greqia – 0.23 € kWh
Latvia – 0.25 € kWh
Qipro – 0.28 € kWh
Gjermania – 0.28 € kWh
Romania – 0.29 € kWh
Irlanda – 0.30 € kWh
Çekia – 0.31 € kWh
Spanja – 0.32 € kWh
Italia – 0.33 € kWh
Belgjika – 0.42 € kWh
Danimarka – 0.47 € kWh

Të ngjashme