Me pretendimet se në luftën e fundit në Kosovë, kishte humbur gishtërinjtë e dorës së majtë, si pasojë e shpërthimit të një granate, Armend Berisha, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), po kërkon pension për paaftësi të përhershme.
Meqenëse, kjo ministri ia kishte refuzuar njëherë këtë kërkesë, Berisha, ka ushtruar padi, duke kërkuar t’i njihet e drejta e këtij pensioni.
Lidhur me këtë çështje, të hënën në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore ën Prishtinë, është mbajtur seanca ku është shqyrtuar kjo padi, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas përfaqësuesit të Berishës, avokatit Bedri Gashi, paditësi Berisha kur ishte në moshën 5 vjeçare gjatë kohës së luftës i kishte humbur gishtërinjtë e dorës së majtë si pasojë e një granate, duke shtuar se që nga atëherë gjendjen shëndetësore të përgjithshme nuk e ka të mirë.
Mirëpo sipas Gashit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale padrejtësisht i kishte refuzuar kërkesën për pension, duke kërkuar edhe njëherë aprovimin e saj.
Në këtë seancë nuk mori pjesë ndonjë përfaqësues nga e paditura, MPMS-ja, ndërsa gjykatësi Hajriz Hoti deklaroi se e njëjta ka pranuar ftesën, mirëpo në asnjë formë nuk e ka arsyetuar mungesën.
E paditura po ashtu sipas gjykatësit Hoti, përveç përgjigjes në padi nuk ka dorëzuar asnjë provë lidhur me rastin, andaj është obliguar që në seancën e radhës që do të mbahet më 13 korrik 2018, në orën 11:00, të sjell provat lidhur me këtë çështje.
Armend Berisha kishte paraqitur padi në Departamentin Administrativ, më 15 shkurt 2017, ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), pasi që kjo e fundit i kishte refuzuar kërkesën për njohjen e pensionit për paaftësi të përhershme.
Sipas paditësit Berisha, MPMS-ja padrejtësisht i kishte refuzuar një të drejtë të tillë, pasi që sipas tij, edhe nga raportet mjekësore dhe ekzaminimet, ishte vërtetuar se i njëjti ka paaftësi të përhershme.
Siç thuhet në padi, paditësi, më 11 tetor 2016, kishte marrë përgjigje negative nga ana e MPMS-së, lidhur me kërkesën e tij për pension.
Edhe pasi që kishte paraqitur ankesë, sipas padisë, MPMS-ja e kishte refuzuar atë, me arsyetimin se paditësi Berisha, nuk ka dokumentacionin mjekësor të mjaftueshëm për fitimin e këtij pensioni.
Krejt çka thuhet në padi është se Berisha, gjatë kohës se luftës në Kosove gjatë viteve 1998-1999, kur ishte në moshën pesë vjeçare, duke ikur me familjen e tij nga forcat serbe ka humbur gishtërinjtë e tij të dorës së majtë.
Sipas padisë, nga ajo kohë ka vazhdimisht probleme të ndryshme shëndetësore, e si pasojë e kësaj, ai pretendon se nuk mund të kryejë asnjë punë.
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...
“Nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, Mickoski e quan akt ag...
“Prishtina gjithmonë do të jetë krah Tiranës”, Komuna publik...
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante