Google ADS

Kërkohet transparencë dhe koordinim në dialogun me Serbinë

18:45 | 12 Prill 2017
M. A.

Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme ka organizuar sot takimin e parë koordinues të Komisioneve Parlamentare të Kuvendit rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, njofton kumtesa nga KDI.

Ky takim kishte synim të ofrojë një platformë diskutimi, bashkërendimi dhe dakordësimi në mes Komisioneve Parlamentare rreth rolit të tyre në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, ndërtimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për monitorimin, mbikëqyrjen, pjesëmarrjen dhe transparencën e këtij procesi.

Gjatë këtij takimi kryetarët e komisioneve e vlerësuan këtë takim si të qëlluar dhe shprehën gatishmërinë për të qenë më aktivë në procesin e monitorimit të ekzekutivit në raport me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë si dhe artikulimin e rolit që komisionet parlamentare do të kenë në të ardhmen e këtij procesi.

Kjo nismë për koordinimin e komisioneve parlamentare lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi u dakordua që të vazhdohet edhe në të ardhmen me takime të tjera duke përfshi edhe Ekzekutivin.

Ky takim organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme