Kërkohet shkarkimi i qeveritarëve që kanë aktakuza

16:42 | 9 Dhjetor 2018
Arbresh.info

“Faji i Korrupsionit”, kështu është quajtur ekspozita ku edhe është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve për tri vendet e para në garën e fotografive dhe videove #fajikorrupsionit, me rastin e shënimit të 9 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë, Ana Beckie ka deklaruar se korrupsioni është dëmi më i madh i vendit, ku dëmton edhe zhvillimin.

“Korrupsioni nuk është diçka abstrakte, është diçka që dëmton jetën tonë të përditshme, dëmton jetën tonë, zhvillimin tonë. Na gëzon fakti që qytetarët kanë marrë pjesë në numër të madh në këtë garë, kanë sjell idetë e tyre dhe na kanë treguar për pasojat që korrupsioni i shkakton”, ka thënë Beckie.

Ndërsa, shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, deklaroi se niveli i korrupsionit në Kosovë është shumë i lartë.

“Niveli i korrupsionit në vendin tonë është i lartë , edhe përkundër angazhimeve të institucioneve të ndryshme të zbatimit të ligjit, në këtë rast edhe të Agjencisë Kundër Korrupsionit, niveli i korrupsionit është i lartë dhe jemi të mobilizuar që sa më shumë ta luftojmë. Por, bashkërisht edhe me institucione tjera, në këtë rast shoqëria civile, çdo ditë e më shumë është aktiv dhe është shumë prezentë sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit”, ka thënë Havolli.

Ai po ashtu ka thënë se gjatë tërë vitit kanë marrë shumë informacione pikërisht nga KDI për rastet e konfliktit të interesit.

Florent Spahija, zyrtar ligjor në KDI, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shkarkojë të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat të cilët kanë aktakuza, ku po ashtu ka inkurajuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë korrupsionin.

“Transparency International sa i përket perceptimit global të korrupsionit e radhit për vitin 2017 Kosovën në vendin e 85 me 39 pikë, larg nga mesatarja globale që është prej 43 pikësh. Kosova vazhdon të qeveriset nga njerëz të korruptuar, vazhdojmë të kemi një qeveri që ka ministra me aktakuza, zëvendësministra me aktakuza, po ashtu me një drejtësi e cila jo në shumë raste është shumë efikase, qytetarët presin me vite që të të kryhen dhe që të përfundohen lëndët e tyre. E që kanë shkaktuar goxha shumë pasoja edhe në perceptimin e, që kanë treguar se rastet e tilla, qytetarët e tyre presin me vite”, ka përfunduar Spahija.

Në emër të KDI-së ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rikthehet në vëmendje rasti i kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, për shkak që sipas tij, ka kohë që nuk ka asnjë reagim për këtë rast, si nga ana e tij, e po ashtu edhe të institucioneve të vendit.

Në fund, janë shpërblyer edhe fituesit, duke u ndarë janë tri çmimet e para për fotografitë dhe videot më të mira, në mesin e 115 aplikuesve.

Qytetarët që kanë aplikuar me anë të fotografisë është dashur të paraqesin pasojat e korrupsionit, ndërsa përmes videos të japin idetë e tyre se si të luftohet kjo dukuri.

Tërë kjo ka pasur për qëllim të rris vetëdijen e qytetarëve për efektet e dëmshme të korrupsionit në përditshmërinë e tyre dhe të promovojë qytetarinë aktive për të mbështetur luftën kundër korrupsionit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme