Kërkohet seancë e veçantë për Luginën

16:22 | 17 Qershor 2019
L G

Komisioni për Arsim ka shqyrtuar sot kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar gjatë vizitës që ky komision dhe ai për Administratë Publike kanë bërë së fundi në Luginën e Preshevës.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, propozoi t’i dërgoj një letër- shkresë ministrit të Kulturës, i cili ka për obligim të jetësojë memorandumin e mirëkuptimit në shumë 470 mijë euro për Luginën, ndërsa një letër tjetër i është adresuar ambasadorit të Shqipërisë që mos të vonohen mjetet financiare për Luginën, të cilat dërgohen përmes Shqipërisë.

“Gjendja në Luginë është keqësuar në krahasim me katër vjetet më parë. Prandaj, edhe nevoja për përkrahje nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë është jashtëzakonisht e madhe, përkundër vështirësive financiare, mendoj se ka mundësi t’iu ndihmohet shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë”, tha Kurteshi.

Anëtarët e komisionit kërkuan që për këtë çështje të mbahet seancë e veçantë ose të thirren ministrat përgjegjës në Komision.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se thirrja e ministrave dhe mbajtja e një debati parlamentar është hap i domosdoshëm që Kosova duhet ta bëjë për ta ndihmuar Luginën e Preshevës.

Haxhiu deklaroi se disa projekte për Luginën nuk po realizohen, dhe kërkesat e banorëve të Luginës janë të shumta. Po ashtu, kërkesë e tyre ka qenë që pjesë e

Grupit të Delegacionit për bisedime me Serbinë të jetë edhe një përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

“Kemi pa një realitet atje çka ka ndodhur. Jemi dakorduar si deputetë që t’i thërrasim ministrat e linjave, qoftë të Arsimit, Kulturës, për të parë se ku është problemi i mos jetësimit të një marrëveshje të Ministrisë së Kulturës. Unë mendoj se nuk kemi nevojë t’iu shkruajmë letra as ministrave, por t’i thërrasim në përgjegjësi dhe të shihet pse nuk respektohet marrëveshja e nënshkruar nga ish-ministri i Kulturës, aktualisht nënkryetar i Kuvendit”, tha ajo.

Deputetja e VV-së Arbërie Nagavci theksoi se 90 për qind e teksteve ose librave mungojnë në Luginë, andaj, deri në vitin e ri shkollor, kërkesa për dërgimin e librave duhet të realizohet.

“Duhet sa më parë, dy Komisionet që kemi qenë në vizitë, të paraqesim kërkesën në Kryesi për thirrjen e një debati parlamentar ose një seance ku do të diskutohet për këtë çështje, duke parashtruar të gjitha kërkesat dhe adresuar ato me qëllim të zgjidhjes së tyre, në mënyrë që mos të mbetet vetëm një diskutim”, tha Nagavci.

Deputetja e Nisma Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimaj tha se rënia e numrit të banorëve në tri komunat e Luginës tregon mos mbështetjen e Kosovës për çka e quajti të domosdoshme mbajtjen e një seance.

“Kjo rënie drastike e banorëve tregon moskujdesin dhe mos mbështetjen tonë. Ajo që u tha këtu është e domosdoshme me mbajtur një seancë, një debat parlamentar për të dalë me një rezolutë ose me rekomandime, të cilat kishim mund t’i realizojmë si Qeveri, meqë rekomandimet i shkojnë Qeverisë dhe të paktën të plotësohet Fondi që është kërkuar prej tyre”, tha Halimaj.

Ndërsa, deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, tha se është e rrugës të thirret një seancë dhe ministrat për të diskutuar lidhur me këtë çështje, pasi deri tash shteti i Kosovës nuk ka bërë mjaft për Preshevën.

“Ne i kemi rezolutat, por asgjë nuk është realizuar përmes këtyre rezolutave dhe nuk po gjejnë zbatim. Pra, këto probleme nuk janë sot, janë të kamotshme dhe me vite të tëra, edhe për dokumentacion, edhe për njohje të diplomave, edhe për tekste shkollore. Andaj, ne si Kosovë nuk kemi bërë asgjë për Luginën e Preshevës”, tha Bunjaku.

Në këtë takim u tha se për këtë çështje do të mblidhen me Komisionin për Administratë dhe do të vendosin për veprimet e radhës.

Komisioni për Arsim, po ashtu diskutoi lidhur me tekstet e reja shkollore dhe riorganizimin e shkollave, për çka u dakorduan që të thirret ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi për raportim në Komision, transmeton Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme