Kërkohet raport psikiatrik për Pjetër Ndrecajn

13:47 | 14 Tetor 2019
Arbresh Info

Pasi është kthyer në rigjykim rasti ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Ndrecaj, mbrojtja ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza, duke e cilësuar atë si të pabazuar.

Për dallim nga gjykimi i parë, kur Ndrecaj e kishte pranuar fajësinë, në seancën fillestare të rigjykimit, që ishte mbajtur më 12 shtator 2019, ai e kishte mohuar fajësinë, duke thënë se vrasja kishte ndodhur aksidentalisht.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, e kishte dënuar Ndrecajn me 24 vjet burgim efektiv, por këtë aktgjykim më pas e kishte ndryshuar Gjykata e Apelit, e cila e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm.

Por, më pas të dy këto aktgjykime i ka prishur Gjykata Supreme e cila këtë rast e ka kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, pasi që ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, avokati Ndrecë Dodaj, ka deklaruar se mbetet pranë kundërshtimit të parashtruar me shkrim.

Ndërkohë, sipas kërkesës për hudhje të aktakuzës, avokati Dodaj ka kërkuar që të nxirret edhe një raport i ri psikiatrik lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit me rastin e kryerjes së veprës penale, duke kërkuar që një raport i forenzikës psikiatrike të bërë më 3 qershor 2018, që kishte të bëjë me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, të veçohet nga lënda, pasi që ai raport sipas tij, nuk ka të bëjë me këtë çështje penale, pasi që, siç ka thënë ai, dy muaj pas atij raporti ka ndodhur vrasja.

Ndërsa, prokurori Ali Uka i ka propozuar gjykatës që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e mbrojtësit të të akuzuarit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Edhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Isa Osdautaj, ka kërkuar nga gjykata që kërkesa për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit, të refuzohet si e pabazuar.

Ai, po ashtu i ka propozuar gjykatës që ta refuzojë si të pabazuar kërkesën e mbrojtësit që të nxirret si provë e re raporti psikiatrik lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gëzim Pozhegu, ka njoftuar palët se lidhur me propozimet e tyre do të vendos me aktvendim të veçantë e të arsyetuar brenda afatit ligjor.

I akuzuari Ndrecaj  në seancën fillestare të rigjykimit ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë, ndërsa e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor 2018, për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, e kishte dënuar Ndrecajn me 24 vjet burgim efektiv.

Ndaj këtij vendimi, kishin bërë ankesë të gjitha palët, përderisa Prokurori i Shtetit dhe pala e dëmtuar kishin kërkuar burgim të përjetshëm, derisa mbrojtja kishte kërkuar një dënim më të butë.

Por, më 1 mars 2019, Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Ndrecajn e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Në komunikatën e Gjykatës së Apelit thuhej se veprimet e të akuzuarit Ndrecaj janë ri cilësuar si “vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm.

Sipas Apelit, gjykata e shkalles së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër se ato lehtësuese.

Mirëpo, më pas Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer rastin në rigjykim, duke prishur kështu aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe asaj të Apelit.

Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje, e cila është e pranishme dhe që kushtëzon cilësimin juridik, ngase mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje.

Prokuroria Themelore Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Ndrecajt, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” nga 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së, dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 gusht 2018, në Gjakovë, në shtëpinë e familjes së  viktimës, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij V.N, dhe vajzën e tij K.N.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve të viktimës i armatosur, ku ka qëlluar më pushkën automatike në drejtim të shtëpisë, si dhe ka qëlluar me armë ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij, të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë./express

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme