Google ADS

Kërkohet që prokuroria të merret me ata që rrezikuan falimentimin e Telekomit

08:00 | 19 Korrik 2020
Arbresh.info

Telekomi i Kosovës rrezikon falimentimin pas bllokimit të llogarive bankare nga përmbaruesi për shkak të obligimit financier prej 24.6 milionë euro ndaj z-mobile.

E, Prokuroria e Shtetit duhet të fillojë hetimet dhe fajtorët për këtë kontratë të dalin para drejtësisë.

Kështu ka vlerësuar Artan Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, në një prononcim dhënë për arbresh.info.

“Prokuroria duhet edhe një herë të filloj hetimin në gjithë këtë fenomen që po ndodhë dhe me e pas se kush janë faktorët dhe eventualisht fajtorët e këtij rasti duhet të dalin para drejtësisë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar gjithashtu se një hetim i tillë është zhvilluar edhe më herët por që është mbyllur. Sipas tij nëse ka fakte të reja duhet të fillojnë hetimet dhe të ngritën aktakuzat.

“Një hetim i tillë është bërë më herët madje edhe personalisht e  kam përcjell por ajo lëndë është mbyllë dhe nëse ka fakte të reja dhe prova për vepra të tjera penale të njerëzve të tjerë eventual të përfshirë në ato veprimtari mendoj se prokuroria është dashtë me hy dhe me filluar hetimin dhe me pas shpejt edhe aktakuzë”, ka thënë ai.

Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka kritikuar sistemin gjyqësor në Kosovë. Ai ka thënë se është koha që ndëshkohen ata që kanë sjellë Telekomin e Kosovës në këtë gjendje.

“Në këtë drejtim besoj se do të ishte shumë lehtë të zgjidhej nëse Kosova do të kishte një gjyqësor të pavarur sepse ne po e dimë se Devollet po i kërkojnë ato para por kurrë nuk u zbulua se kush e ka sjellë Telekomin në këtë gjendje, janë nënshkruar shumë dokumente që të vinë deri te kjo dhe askush nuk mbanë përgjegjësi për to. Prandaj është koha kur duhet që këtij problemi t’i qasemi me një seriozitet dhe jo vetëm të heshtet dhe të tentohet të mbulohen krimet që e kanë sjellë Telekomin në këtë gjendje”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndryshe arbresh.info të mërkurën kishte raportuar ekskluzivisht për bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës duke rrezikuar me falimentim pasi Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi.

Një ditë më pas Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.a,  është takuar Ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, Blerim Kuçi për të diskutuar për mundësitë e tejkalimit të situatës së rendë në të cilën ndodhet TK, si pasojë e  këtij bllokimi nga përmbaruesi privat./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme