Kërkohet që plani qeverisës të dërgohet në Kuvend sa më parë

09:04 | 15 Maj 2021
L G

Në bazë të rregullores së Kuvendit, Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti, do të duhej që ditën e betimit ta prezantoj edhe programin e saj qeverisës.

Por ndonëse kanë kaluar dy muaj, Qeveria e re ende nuk ka bërë një hap të tillë, raporton arbresh.info

Ani pse plani qeverisës u miratua nga kabineti të premten e kaluar më 7 maj, ky dokument ende nuk ka shkuar në Kuvend për të marr miratimin e deputetëve.

Për gazetarin Zekirja Shabani, zvarritja e këtyre procedurave është e pakuptimtë.

“Në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës qeveria është dashur ta prezantoi programin qeverisës para deputetëve ditën kur ka marrë besimin e tyre për të formuar qeverinë. Megjithatë, tashmë nuk ka asnjë arsye të vonohet dhe të zvarris edhe më teje këtë program. Çështja e lektorimit dhe finalizimit teknik nuk duhet ta pengoi Qeverinë për të proceduar më tutje”, ka vlerësuar Shabani.

Tutje ai në përgjigjen për arbresh.info, ka shtuar se Qeveria Kurti ka pasur mundësi që këtë plan ta përpilonte para se të votohej, derisa shton se kjo është metodë që po vazhdon nga Qeveria në Qeveri.

“Qeveria Kurti ka vazhduar praktikën e njëjtë të qeverisjeve të kaluara me programin qeverisës duke e zvarritur përgatitjen e tij. Për dalim nga qeveritë e kaluara pritjet kanë qenë që kryeministri i ri ta ketë gati programin që ditën e parë pasi ka pasur mjaftë kohë ta përgatisë atë sa ishte jashtë qeverisë”, ka thënë ai.

E profesori, Mazllum Baraliu shpreson që ky plan të diskutohet javën e ardhshme nga deputetët.

Në një përgjigjej për arbresh.info, Baraliu ka vlerësuar se sa më parë që të kryhet ky proces aq më mirë për Qeverinë.

“Sa më parë aq më mirë pasi realizimi i detyrave tregon efikasitetin e Qeverisë. Nuk po ndodh për herë të parë që po vonohet kjo nga Qeveritë e Kosovës. Kjo e ka bë programin dhe mendoj që javën e ardhshme do të duhej që të dërgohej në Kuvend e të debatohej e të ketë konstruktivitet nga të gjithë”, ka vazhduar ai.

Sipas Baraliut, opozita me përvojën e saj, duhet t’i dal në ndihmë me sugjerimet e tyre për pika të ndryshme.

“Të shikohet se çka ka lënë Qeveria mangët apo diçka të gabuar te programi dhe të plotësohet. Edhe Qeveria duhet të pranoj dhe të marr nga opozita propozime të mira pasi ka deputetë që kanë njohuri të duhura në çështje të ndryshme dhe të vihet një harmoni për planin dhe dizajnimin e këtij plani qeverisës”, ka përfunduar Baraliu.

Ndryshe ende nuk dihet nëse Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend, planin e Qeverisë për vitin 2021-2025.

Të paktën për këtë nuk kanë kthyer përgjigje për arbresh.info, dy zyrtaret e kësaj Qeverie, Përparim Kryeziu e Rozafa Kelmendi.

E një përgjigjej për këtë, portali nuk ka marrë as nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.

Ajo që dihet deri më tash nga prezantimi para kabinetit, disa nga pikat e këtij plani janë dialogu me Serbinë, vaksinimi i 60% të popullit me vaksina anti-covid, rritja e pagës minimale në 250 euro, vetingu, liberalizmi i vizave, fondi sovran etj./V.Selimi/arbresh.info/

Të ngjashme