Iniciatorja për ndryshim e Ligjit për Familjen, Luljeta Aliu, në një intervistë për Telegrafin, thotë se gratë në Kosovë, në raste divorci pësojnë degradim social dhe material pa të drejtë. “Me ligjin që ekziston në Kosovë ato nuk kanë asnjë interes që të martohen dhe të lindin, por do të ishin shumë më të sigurta po të punonin vetë dhe kjo gjë duhet të ndryshohet“, ka thënë Aliu, duke kërkuar njohjen e barasvlefshmërisë së punës në familje.
Aliu ka kërkuar që ligji të përcaktojë qartë, që në rast të ndarjes, pasuria e përbashkët të ndahet në dy pjesë të barabarta, ashtu siç edhe është e rregulluar me ligj.
Ajo theksoi se propozimin për plotësimin e Ligjit për Familjen e ka dorëzuar në Komision për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.
Qëllimi i propozimit të plotësimit të këtij ligji, sipas saj, ka të bëjë me evitimin e mangësive dhe zbrazëtirat ligjore ekzistuese brenda Ligjit për Familjen, pjesët të cilat e rregullojnë pjesëtimin e pasurisë së përbashkët.
“Ligji për Familjen i njeh dy institucione të pasurisë, njëri është pasuria e veçantë, e cila ka ekzistuar si pasuri para martesës apo është trashëguar. Propozimi nuk merret me pasurinë e veçantë, por tenton ta rregullojë përcaktimin e pasurisë së përbashkët, të krijuar pas martesës. Ligji e definon se pasuria e përbashkët është pasuria e krijuar me punë dhe thotë se bashkëshortët janë pronarë të barabartë të pasurisë në rast të ndarjes. Si i tillë, ligji deri këtu e ka rregulluar mirë. Mirëpo praktika ligjore gjatë përcaktimit të pjesëve të pasurisë në raste divorci, gjatë proceseve gjyqësore dhe vlerësimit të pjesës për secilin nuk e zbaton ligjin si duhet“, tha ajo, duke shtuar se në vend që të niset nga parimi i barazisë së pjesëve, gjykatat e Kosovës ,sipas saj, nga gratë kërkojnë që ato të dëshmojnë se sa kanë kontribuar, duke kërkuar që kontributi i grave të dëshmohet materialisht.
Ndërsa, thotë se pjesën e lindjes, rritjes dhe edukimit të fëmijëve si dhe punët në shtëpi sipas saj, gjykatat i vlerësojnë financiarisht me një bazë shumë të ulët, e cila sillet përafërsisht tek 200 euro në muaj.
“Jo vetëm gratë, nëse ndahen, pësojnë degradim social pa të drejtë, por ato edhe nuk kanë asnjë interes që të martohen pikë së pari dhe të lindin, kur do të ishin shumë më të sigurta po të punonin vetë. Më tutje, kjo praktikë ligjore është në kundërshtim me vetë ligjin, i cili thotë se ’kontributi nuk guxon të matet në mënyrë materiale‘, dhe punën në nenin 47 nuk e definon vetëm si punë fitimprurëse jashtë shtëpisë. Prandaj synimi i ligjit që nga zanafilla ka qenë që puna e grave në shtëpi dhe puna jashtë shtëpisë të jenë të barasvlefshme“, u shpreh tutje Aliu për Telegrafin.
Ajo theksoi se një rregullim i tillë do të qartësonte dilemat materiale, zgjidhjen më të shpejtë të rasteve si dhe do të pamundësonte manipulimet arbitrare por edhe korrupsionin në gjykata.
“Përfitimet nga një qartësim i tillë do të ishin afatgjata dhe shumëdimensionale për shoqërinë tonë në tërësi. Fillimisht do të kishte një ndikim imediat në primatin e patriakatit, duke i fuqizuar gratë konkretisht me atë çfarë ju takon dhe duke mos i lënë në mëshirën e vendimeve arbitrare të gjyqtarëve, të cilët fatkeqësisht në masë të madhe ende mendojnë se puna e grave është më pak e vlefshme dhe se gruas nuk i takon pjesa e njëjtë e pasurisë së përbashkët. Edhe vetë gjyqtarët janë shumica burra, të cilët vështirë pranojnë të heqin dorë nga privilegji i vlerësimit të punës së burrave. Definimi i punës së grave si e barasvlefshme me punën e burrit jashtë shtëpisë ia jep asaj vendin meritor, të cilin e ka pasur edhe sipas traditave të mirëfillta shoqërore dhe që i takon. Faza e tranzicionit në Kosovë ka qenë shumë e dëmshme për kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, pra edhe për gratë“, sqaroi më tutje Aliu.
E pyetur se sa është optimiste në arritjen e kësaj iniciative si dhe a pret përkrahje nga gratë deputete, Aliu është optimiste se gratë deputete do ta përkrahin këtë iniciativë të gjitha, meqë e njohin problematikën dhe solidarizohen më shpejtë.
“Besoj shumë se edhe shumica e deputetëve do të jenë për këtë rregullim, të paktën ata të cilët nuk e shohin gruan e tyre si njeri i kategorisë së dytë, më pak të vlefshme se vetja. Sidoqoftë, shpresoj që të gjej përkrahjen e një numri të mjaftueshëm të deputetëve. Deri më tani më janë lajmëruar edhe figura politike dhe disa deputetë, e kjo më ka gëzuar shumë. Dëshiroj të veçoj ambasadoren Vlora Çitaku, e cila më është lajmëruar me vetiniciativë për të më ofruar përkrahje, pastaj Vjosa Osmani, Magbule Sadri Shkodra, Sami Kurteshi, Albulena Haxhiu etj. Por më e bukura është se nga vetë qytetarët dhe shoqëria civile po marr përkrahje“.
Aliu tregoi se kjo iniciativë është ndërmarrë si një hap absolutisht qytetar dhe vullnetar e cila iniciativë siç tha ajo do të ishte arritje e përbashkët e forcave të bashkuara progresiste qytetare.
“Gjërat bëhen gjithmonë më së miri kur bashkohen forcat. Besoj ka ardhur koha që shoqëria jonë të solidarizohet dhe të jetë më e unifikuar rreth asaj se çfarë kërkojnë dhe se si duhet të duket e ardhmja e këtij vendi. Ka ardhur koha që të bëjmë hapat e parë rreth krijimit apo ringjalljes së vlerave të mirëfillta shoqërore, siç janë solidariteti dhe barazia, mirëbesimi dhe drejtësia. Secili prej nesh nëse nuk kemi vajza apo motra, e kemi të paktën një nënë, e cila ka rrezikuar shpeshherë veten që ne të jemi mirë. E që kjo të mos vlerësohet të paktën e barabartë sa puna e burrit, është absurde edhe e tejkaluar“, potencoi Aliu.
Ajo po ashtu tha se barasvlefshmëria e punës në familje do ta zvogëlonte dhunën ekonomike ndaj grave.
“Arsyeja është në natyrën zinxhirore të dhunës. Barasvlefshmëria e punës në familje do ta zvogëlonte dhunën ekonomike ndaj grave, e cila do të kishte efekt direkt pozitiv në parandalimin e dhunës psikike dhe fizike. Dhuna ekonomike është pengimi në qasje të barabartë në pasuri, apo kur burri nuk ia lejon gruas të këtë qasje në të mirat materiale të familjes, duke e bërë kësisoji të varur ekonomikisht, çfarë pastaj rezulton në pozitëne saj të dobët karshi burrit. Ky i fundit natyrisht se e ka pastaj të lehtë të sillet dosido“, tha ndër të tjera Aliu për Telegrafin.
Aliu gjithashtu bëri thirrje që kjo iniciativë të përkrahet në masë të madhe duke thënë se dhuna ekonomike ndaj grave është një formë moderne e skllavërimit të grave.
“Përmes propozimit për njohjen e barasvlefshmërisë së punës do të përmirësohej kjo situatë. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta përkrahin këtë iniciativë duke na ndjekur në faqen tonë në Facebook ’Iniciativa për Barasvlefshmërinë e Punës në Familje’, ku do të informohen rreth ecurisë së propozimit dhe aktiviteteve të ardhshme“, tha Luljeta Aliu në një intervistë për Telegrafin./Telegrafi/
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...