Institucione e organizata të ndryshme që veprojnë në Kosovë rishtazi kanë bërë thirrje për adresimin e problemit të ndotjes së ajrit, duke qenë se kjo sfidë mjedisore paraqet rrezik për shëndetin e popullatës.
Banka Botërore në një njoftim të saj ka pohuar se në shumicën e zonave në Kosovë nivelet e përllogaritura të koncentrimeve të PM2.5 janë dukshëm mbi vlerën udhëzuese të OBSH-së, ku viset urbane e tejkalojnë këtë vlerë një deri në katër herë. Sipas BB-së, në Kosovë, si në gjithë Ballkanin Perëndimor, sektori rezidencial është burimi më i madh i ekspozimit ndaj emetimeve të dëmshme PM2.5. Edhe emetimet në lidhje me transportin sipas BB-së paraqesin një burim të madh të ndotjes së ajrit, veçanërisht në viset urbane.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë në një raport të saj ka bërë të ditur se çdo vit në stinët vjeshtë dhe dimёr shënohen ngritje të vlerave ndotëse në ajër.
Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës javë më parë ka theksuar se ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës. Kjo situatë sipas IKShPK-së do të rëndohet edhe më shumë me rënien e temperaturave, ku ajri do të ndotet më shumë si pasojë e ngrohjes me lëndë të ndryshme djegëse të dëmshme dhe jocilësore.
Zyrtarë të MMPH-së në rrjete sociale javë më parë kanë pohuar se përveç ndotjes në Prishtinë me rrethinë, nivel të lartë të ndotjes momentale të ajrit ka edhe në komunat që nuk kanë termoelektrana dhe industri të tilla, siç është rasti i Prizrenit. Sipas tyre determinues të ndotjes mbeten edhe përdorimi i thëngjillit si dhe veturat e shumta në trafik.
Komuna e Prizrenit në një përgjigje me shkrim ka theksuar se në vitin 2019 për përmirësimin e cilësisë së ajrit ka ndërmarrë masa të ndryshme, duke përfshirë mbjelljen e fidanëve drunore, rregullimin dhe rehabilitimin e hapësirave të gjelbra publike, ndarjen e mbeturinave në burim (projekt i financuar nga GIZ-i), aktivitete mjedisore, ndërgjegjësimin publik dhe inspektimet.
EC Ma Ndryshe gjatë muajve të fundit ka vërejtur se në Komunën e Prizrenit nevojitet të ketë informata më të qarta për publikun lidhur me ndotjen e ajrit dhe matjet që bëhen në këtë drejtim, ani pse Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës publikon në baza ditore të dhënat e monitorimit të cilësisë së ajrit, përfshirë këtu ato nga stacioni në Prizren.
Prandaj, EC Ma Ndryshe rekomandon organet shtetërore të nivelit qendror dhe lokal që ta njoftojnë publikun e gjerë me kumtesa për cilësinë e ajrit që kuptohen më lehtë, bashkë me rekomandime përkatëse për veprimet që duhet ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre nga ndikimi i ajrit të ndotur.
Po ashtu, kërkon që organet shtetërore të nivelit qendror dhe lokal të zbatojnë rekomandimet e organizatave me renome në mënyrë që të reduktohet ndotja e ajrit.
Gjithashtu kërkon nga Komuna e Prizrenit që në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të nivelit qendror të hartojnë raporte të rregullta periodike lidhur me aktivitetet e ndërmarra që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Komuna e Prizrenit rekomandohet që të krijojë mekanizma adekuatë për paralajmërimin e qytetarëve lidhur me ajrin e ndotur, ashtu që qytetarët të evitojnë ekspozimin ndaj një ndotjeje të tillë. Në këtë drejtim sugjerohet që organet komunale e Qendra për Zhvillim të Gjelbër të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit edhe me organizatat e shoqërisë civile, me Departamentin e Shkencave të Mjedisit në UPZ dhe akterë të tjerë.