Google ADS

Kërkohet nënshkrimi masovik i peticionit për plotësimin e ligjit për Specialen

11:58 | 19 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Shoqata “Familja dhe Shpresa” nga Klina përmes një komunikate për media ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i përgjigjen masovikisht nismës së shoqatave të veteranëve të luftës për peticion me kërkesën ndaj parlamentit të Kosovës për plotësimin e ligjit selektiv dhe diskriminues të gjykatës speciale në mënyrë që të mundësohet që atje në Hagë të dalin para drejtësisë vrasësit serbë dhe Serbia për krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë té Kosovës, shkruan arbresh.info.

“Ky ligj duhet që të plotësohet patjetër. I ftojmë dhe shpresojmë se qytetarët do t’i përgjigjen masovikisht këtij peticioni. I ftojmë dhe shpresojmë se parlamentarët e të gjitha partive shqiptare të Kosovës më në fund do të vetëdijesohen e të marrin guximin e ta plotësojnë këtë ligj. Shpresojmë se Parlamenti i Kosovës do të pamundësojë amnistimin e kriminelëve serbë që ende gjenden të lirë atje në Serbi të mbrojtur nga shteti Serb i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç dhe partia e tij”, tha  përfaqësuesja e shoqatës “Familja dhe Shpresa”  Zana Bytyqi.

U bënë më shumë se një vit që shoqata “ Familja dhe Shpresa” e cila përfaqëson familjarët e 86 viktimave të masakrës së Kralanit (4 Prill 1999) është duke kërkuar nga partitë politike shqiptare dhe parlamenti i vendit që të plotësohet ky ligj.

“Shpresojmë që peticioni në fjalë nuk do të përfundojë njëjtë sikur kërkesat tona të deritashme të cilat u injoruan nga politikanët tanë. Parlamenti i Kosovës duhet që ta plotësojë këtë ligj. Parlamenti i ynë nuk guxon që të amnistojë kriminelët serbë dhe Serbinë. Ne duam drejtësi për më të dashurit tanë. Serbia dhe vrasësit serbë të afro 13000 civilëve shqiptarë e përdhunuesit e rreth 20000 femrave shqiptare gjatë luftës për liri 1998-1999 duhet që të dërgohen para gjykatës speciale,” tha më tutje Bytyqi.

Ky peticion duhet që të nënshkruhet masovikisht. Le të jetë ai një lloj referendumi nga populli shqiptarë i Kosovës për drejtësi. U bënë 18 vite heshtje dhe injorim. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës mund t’i kenë harruar krimet e Serbisë, por ne familjarët jo kurrë. Mjaftë më, plotësojeni ligjin. Mos i amnistoni Serbinë dhe kriminelët e saj.

Në të njëjtën kohë, shoqata “Familja dhe Shpresa” rithekson kërkesën e saj që parlamenti i Kosovës të urdhërojë Qeverinë dhe Kryetarin e Kosovës që dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga BE të ndërpritet deri atëherë kur kriminelët e Serbisë të jenë dërguar në gjykatën speciale.

“Nuk ka paqe pa drejtësi. Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Serbia dhe kriminelët e saj duhet ndëshkuar atje në Hagë për krimet e luftës ndaj më të dashurve tanë dhe ndaj Kosovës sonë”, thuhet në fund të komunikatës së kësaj shoqate./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme