Kërkohet mbështetje financiare për Ushtrinë e Kosovës nga përgjegjësit e Fondit “3%”

16:42 | 8 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Ish-kryetari i LDK-së për Gjermani, Hafiz Gagica ka thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës, është akti më madhor politik dhe kombëtar pas deklaratës së pavarësisë së Kosovës të shapallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Me këtë rast ai ka apeluar që të ndihmohet financiarisht Ministria e Mbrojtjes, për aftësim të trupes ushtarake në misionin e saj. Këto mjete financiare i ka kërkuar tek ata që kanë qenë përgjegjës për fondin e 3%-shit të Republikës së Kosovës.

“Me këtë rast apeloj tek ata të cilët i posedojnë mjetet e mbetura nga UFORK-u, respektivisht nga Fondi i 3%-të të Republikës së Kosovës si dhe nga Dardania Bankë, t’i deponojnë në xhirollogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse ushtria e Kosovës ka nevojë për mjete të shumta financiare si dhe për buxhet të mjaftueshëm që të aftësohet profesionalisht për zbatimim e misionit të saj mbrojtës”, ka thënë Gagica.

Tutje, ai u shpreh i lumtur që shumica e subjekteve politike në Parlament janë unike dhe përkrahëse të formimit të ushtrisë së Kosovës, “e cila si pararojë e rreziqeve që mund të vijnë nga fqinji ynë verior, do jetë garantuese e sigurisë tonë nacionale, por edhe faktor për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkan”, u shpreh ai, përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Reagimi i plotë i tij, pa ndërhyrje:

USHTRIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DO TË JET FORCË PAQËSORE SI DHE KRENARIA JONË KOMBËTARE!

Formimi i ushtrisë së Kosovës, kaq gjatë i pritur nga të gjithë ne, është pa dyshim, akti më madhor politik dhe kombëtar pas deklaratës së pavarësisë së Kosovës (17. 02. 2008). Synim ky i kamotshëm i cili më në fund do të përmbyllet me 14 dhjetor 2018, dhe atë përsëri me bekimin e miqve tanë perëndimorë në krye me SHBA-të.

Besoj se shumicës i kujtohet koha kur në dhjetor të vitit 1990 e themeluam në Gjermani Fondin për vetëmbrojtje të Kosovës, pastaj një vit më vonë i formuam grupet e para ushtarake të cilat i dërguam për stërvitje në Shqipëri për t’u përgatitur për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi i regjimit jugosllav-serbomadh. Edhe pse asokohe kishte skeptik dhe kundërshtues të kësaj nisme, megjithatë ia dolëm në rrethana të jashtëzakonshme të një okupimi klasik, që nga ato grupe guerile të dalin luftëtarë të dalluar si dhe heronj të Kosovës martire.

Sot, kur Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është momenti i duhur që me përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve, me 14 dhjetor Kuvendi i Kosovës ta jetësojë synimin dhe amanetin e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e saj, duke e votuar ligjin për formimin e ushtrisë tonë, si vlerën më të çmueshme dhe më sublime e cila do ta mbrojë territorin dhe kufijtë e saj të shenjtë!

Na gëzon fakti që shumica e subjekteve politike në Parlament janë unike dhe përkrahëse të formimit të ushtrisë së Kosovës, e cila si pararojë e rreziqeve që mund të vijnë nga fqinji ynë verior, do jetë garantuese e sigurisë tonë nacionale, por edhe faktor për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkan.

Ushtria e Republikës së Kosovës tanimë po bëhet realitet dhe bijat dhe bijtë e saj të cilët do ta veshin uniformën e bukur të saj e kanë për nderë, fat dhe krenari të jenë pjesë dhe forcë legjitime e Aleancës ushtarake të NATO-s, e cila e ndihmoi çlirimin e saj duke e shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja fizike dhe nga gjenocidi i regjimit kriminal i Serbisë që po e bënte në vitet 1998/99.

Ushtria e re e Kosovës, po ashtu, do jetë krenare me emrat dhe veprën e luftëtarëve dhe komandantëve të parë të saj, në krye me Adem Jasharin, Sali Çekajn, Zahir Pajazitin, Agim Ramadanin, Ahmet Hoxhen, Luan Haradinajn si dhe shumë heronj tjerë të cilët me gjakun dhe sakrificën e tyre Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar ia kthyen krenarinë dhe dinjitetin e nëpërkëmbur me shekuj!

Urime Kosovë, urime shqiptarë kudo që jeni për këtë vendim të rëndësishëm dhe historik që pritet ta merr Parlamenti ynë javën e ardhdhme. Mbase kjo ngjarje e madhe do të shënohet me germa të arta në historinë e Kosovës dhe aleatëve e saj, si njëra ndër datat më të mëdha në rrugën e shtetndërtimit të Kosovës.

Me këtë rast apeloj tek ata të cilët i posedojnë mjetet e mbetura nga UFORK-u, respektivisht nga Fondi i 3%-të të Republikës së Kosovës si dhe nga Dardania Bankë, t’i deponojnë në xhirollogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse ushtria e Kosovës ka nevojë për mjete të shumta financiare si dhe për buxhet të mjaftueshëm që të aftësohet profesionalisht për zbatimim e misionit të saj mbrojtës!

Hafiz GagicaStuttgart, 08.12.2018

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme