Kërkohet anulimi i përzgjedhjes së Komisionerit për Informim dhe Privatësi

12:31 | 15 Maj 2019
Arbresh.info

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës i Kuvendit të Kosovës është në proces të përzgjedhjes së kandidatëve për Komisioner në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Katër prej 11 aplikuesëve që ishin përzgjedhur për intervistë dhe test psikometrik janë: Jeton Arifi, Bujar Sadiku, Nexhat Jashari dhe Muharrem Mustafa.

Nga data 22 prill 2019 deri më 14 maj 2019 ne kemi analizuar CV-të e tyre, kemi hulumtuar për secilin kandidat dhe kemi monitoruar mbajtjen e intervistave në Kuvendin e Kosovës. Procesi është mbështetur nga projekti i rekrutimit të Ambasadës Britanike.

Ne kundërshtojmë fuqishëm emërimin e kandidatëve aktual për Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Informim sepse kandidatëve iu mungon vizioni, strategjia dhe përgatitja e duhur për këtë pozitë.

Për me tepër, kundërshtojmë në veçanti kandidaturën e punëtorëve aktualë të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi, për shkak të dyshimeve se janë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, nën menaxhimin e tyre auditori ka gjetur shkelje të vazhdueshme në Agjencion dhe të dytë kanë ndikuar që në këtë agjencion të punësojnë familjarë të tyre.

Gjatë vlerësimit të intervistave, Bujar Sadiku dhe Jeton Arifi janë favorizuar hapur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Fadil Beka. Pa u sqaruar dyshimet e lartpërmendura, asnjëri nga këta dy kandidatë nuk duhet të bëhet Komisioner.

Paneli intervistues është përbërë nga Haxhi Shala (Nisma Social Demokratike), Fadil Beka (PDK), Xhelal Svecla (Lëvizja Vetvendosje) dhe Aida Dërguti (Partia Social Demokrate). Shumica prej tyre kanë treguar përkushtim të lartë gjatë intervistimit të kandidatëve. Mirëpo, ne shprehim indinjatën tonë të thellë që në panel nuk morën pjesë, përkundër që ishin të obliguar, deputetët Ismet Beqiri (Lidhja Demokratike e Kosovës) dhe Bahrim Šabani (G+).

Po ashtu, një pjesë të përgjegjësisë për numrin e vogël të kandidatëve për komisioner e mban administrata e Kuvendit të Kosovës e cila e ka reklamuar konkursin vetëm në mediat Epoka e Re, Bota Pres dhe RTK (kanali serb).

Ne kërkojmë nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të anulojë procesin, të rishpallë konkursin menjëherë ashtu që të mos rrezikohen fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Komisioneri është pozitë publike jashtëzakonisht e rëndësishme në fushën e të drejtës së informimit pasi që ajo ose ai do të vendosë se cilat informacione të institucioneve mund të bëhen publike. Pa një Komisioner profesional, të paanshëm dhe me integritet të lartë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk do të mund të shërbejnë si mbikëqyrës shoqërorë.
Në këtë komunikatë janë bashkangjitur: lista e plotë e kandidatëve, cv-të e tyre dhe informatat ofruar Kuvendit nga shoqëria civile.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme