Kërkohen edhe 200 gylenistë në Kosovë

22:35 | 3 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Sipas Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve, në Kosovë janë edhe 200 shtetas turq që kërkohen nga autoritetet e Turqisë.

Gjashtë prej tyre u deportuan në fshehtësi disa muaj më parë. Ata ishin drejtues të disa shkollave të njohura të hapura si pjesë e rrjetit të shkollave që financohen nga kleriku Fejtullah Gylen.

Dërgimi i tyre në Turqi solli vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefin e Shërbimit Sekret, Driton Gashi, të cilët u hoqën nga këto pozita për shkak të mosinformimit të shefit të ekzekutivit për rastin në fjalë, raporton Top Channel.

Zyrtarët institucionalë të Kosovës kanë thënë se çështja e gylenistëve është vetëm një rast i izoluar për të cilin qeveria ka ndërmarrë masat e menjëhershme që kjo të mos ndodhë më.

Mirëpo, sipas analistit Donik Sallova, ky akt do të ndikojë në rrugën evropiane të Kosovës.

“Është skandaloze që kryeministri i Kosovës të deklarohet që nuk ka qenë në dijeni për një rast delikat sikur ky” , ta Sallova.

“Kjo ka qenë një njollë e zezë për Kosovën dhe për aspiratën për të qenë një vend evropian dhe shtet demokratik”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja turke në Kuvendin e Kosovës, Myfera Shinik, e ka përkrahur deportimin e gjashtë gylenistëve duke thënë se gjithçka ka ndodhur brenda kufijve ligjorë. Ajo ka theksuar se të arrestuarit, përveçse paraqesin rrezik për Turqinë, janë të rrezikshëm edhe për Kosovën.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme