Kush del i fundit, le t’i ndalë dritat”…
Komente si ky kishin shoqëruar lajmin se kosovarët do të mund të udhëtonin pa viza nëpër vendet e zonës Schengen nga 1 janari i këtij viti.
Që nga muaji prill i vitit të kaluar, kur u dha ky lajm, liberalizimi i vizave ishte parë me shqetësim nga organizatat joqeveritare në Kosovë, të cilat brengoseshin se “ikja e trurit” mund të përkeqësohej.
Instituti për Studime të Avancuara, GAP, raportonte se gati 30 për qind e qytetarëve të Kosovës planifikonin të emigronin nga vendi pas liberalizimit të vizave.
Edhe pse problemet në tregun e punës, shkaku i emigrimit, nuk janë rritur aq sa është paralajmëruar nga shumë OJQ, të dhënat e Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat, tregojnë se ka pasur një rritje të numrit të aplikimeve për azil në BE.
Nga janari deri në korrik të këtij viti, mesatarisht mbi 550 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Evropës çdo muaj.
Kjo shifër është dukshëm më e lartë se mesatarja në gjashtë vjetët e kaluar.
Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kanë emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.
Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti janë bërë gjithsej 3.950 kërkesa për azil – dukshëm më shumë sesa gjatë tërë vitit në katër vjetët paraprakë.
Numri më i lartë i kërkesave për azil këtë vit u regjistrua në maj, kur u bënë gjithsej 765 kërkesa. Pjesa më e madhe e tyre ishin bërë në Francë.
Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.
Gjermaninë e kanë synuar shumë kosovarë në vitet e fundit, për shkak të procedurave të lehtësuara për punësim. Por, pasi procedurat lejojnë marrjen e vizës së punës përmes një shorti, në kërkesat për azil nuk përfshihen këta persona.
Meqenëse Gjermania nuk e lejon nënshtetësinë e dyfishtë – përveç në disa raste – ajo mbetet vendi kryesor për të cilin kosovarët heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës.
Por, të dhënat e publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tregojnë se numri i kërkesave për lirim nga shtetësia, ka qenë në rënie përgjatë vitit 2024.
Ndërsa kërkesat për lirim nga shtetësia e Kosovës ishin në rënie, numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u rrit dukshëm.
Me oferta të shumta nga agjenci turistike dhe pa nevojën për të aplikuar për vizë, shumë kosovarë e shfrytëzuan mundësinë e udhëtimit në zonën Schengen, e cila përbëhet prej 29 vendesh evropiane.
Numri i udhëtarëve përmes transportit ajror në Kosovë është rritur në krahasim me vitin e kaluar, por trendi i rritjes ka nisur edhe në vitet paraprake.
Oganizata të ndryshme joqeveritare dhe institucione shtetërore, në disa raste, kanë theksuar nevojën që kosovarët t’i respektojnë kushtet e udhëtimit pa viza.
E, cilat janë kushtet?
Liberalizimi mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.
Në të kundërtën, Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave. Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime.
Janë katër skenarë ku Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:
Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.
Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.
Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.
Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.
Deri më tani, BE-ja nuk ka shprehur shqetësim për rritje të migrimit apo kërkesave për azil nga Kosova, e as organizatat që përfaqësojnë bizneset nga Kosova nuk kanë shprehur shqetësim se punëtorët po ikin në mënyrë masive./Evropa e Lirë/
Drita pret Feronikelin ’74, në Suharekë luhet derbi i qyteti...
Vdekja e 1-vjeçarit në QKUK, policia po heton rastin
Gjuajti me armë zjarri, arrestohet i dyshuari në Prizren
Driloni dhe Sara flasin për familjen dhe të ardhmen
Sulmoi fizikisht zyrtarin policor, arrestohet i dyshuari në ...
Dëmtohen disa vazo lulesh në varrezat e fshatit Bresje, poli...