Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i janë drejtuar edhe njëherë Qeverisë së Kosovës, me dy kërkesa. Ata duan që të shtyhet vendimi për konvertimin e targave serbe në RKS si dhe të nisin negociatat për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
Krejt kjo pas daljes së qytetarëve serbë nga institucionet e Kosovës si “hakmarrje” për suspendimit të drejtorit rajonal të policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq nga puna, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave.
Por, këto kërkesa kanë nxitur reagime. Analistët dhe politologët në vend po i shohin nga këndvështrime të ndryshme këto dy kërkesa të SHBA-ve.
Politogolu Albinot Maloku, thotë se vendimi për targat i Qeverisë së Kosovës ishte pjesë e dal nga Marrëveshjet e Brukselit.
“Si i tillë ky vendim do të duhej të ishte detyrim për qytetarët e Kosovës që ende shfrytëzojnë targat ilegale për territorin e Kosovës. Për të njëjtin vendim janë kërkuar shtyrje edhe më parë, dhe që kanë ndodhur e nuk kanë prodhuar asgjë. Çështja e dytë është se sa e ka menduar fuqinë e vet Qeveria e Kosovës, në rrafshin e jetësimit të këtij vendimi, sidomos tani kur kemi tentime për marrëveshje të re apo fazë të re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për të mos krijuar situata të presioneve e kërkesave shtesë nga faktori ndërkombëtar. Në këtë dyshojë që ka menduar Qeveria e vendit”, pohon Maloku.
Ai foli edhe për kërkesat e miqve ndërkombëtar, që sipas tij nuk janë veç të njëanshme por edhe të ashpra.
“Kërkesat e reja të faktorit ndërkombëtar drejtuar Kosovës nuk janë veç se të njëanshme, por edhe të ashpra. Shtyrja e jetësimit të vendimit për targat pa kundër peshë dhe jetësimi i një mekanizmi pa definicion siç është Asociacioni i komunave me shumicën serbe në Kosovë janë presion i pa kuptimtë. Në anën tjetër, Beogradi zyrtar është duke manipuluar një pjesë të faktorit politik serbe në Kosovë, për interesa krejtësisht të presidentit Vuçiç dhe për këtë faktori ndërkombëtar nuk ka reagim. Për vënien e zjarrit veturave të pronarëve që i kanë regjistruat ato në RKS, reagimet ishin dekurajuese për gjithë ata që duan ti largojnë targat ilegale”, shprehet Maloku.
Situata në veri e ka shqetësuar edhe analistin politik Nexhmedin Spahiun.
Spahiu: Asociacioni duhet me qenë kompensim për njohjen e Kosovës nga Serbia
Megjithatë, ai thekson se çështja e themelimit të Asociacionit duhet të jetë kompensim për njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Asociacioni duhet me qenë kompensim për njohjen, nuk mundet me u bë asociacioni pa u njoftë pronësia se ajo kish me qenë tradhti kombëtare. SHBA-të nuk kanë kërku me themelu asociacionin. Ata kanë kërkuar me fillu diskutimin, negociatat për kompetencat. Asociacioni duhet me qenë kompensim për njohjen, nuk mundet me u bë asociacioni pa u njoftë pronësia se ajo kish me qenë tradhti kombëtare”, u shpreh ai.
Spahiu pohoi se SHBA-të po kërkojnë me fillu diskutimin për kompetencat e ajo me qenë këmbim për njohje.
“Cilat kompetenca, duhet me negociu, po duhet me negociu sepse kjo është që u flit për njohje nga Serbia edhe krejt tradhtarët e kombit dëshirojnë me ja dhanë Serbisë veresi asociacionit pa e marrë njohjen e amerikanët nuk po thonë ashtu. Nuk është e vërtet që amerikanët po kërkojnë, ata po kërkojnë me themelu asociacionin pa e marrë njohjen nga Serbia, ata po kërkojnë me fillu diskutimin për kompetencat e ajo me qenë këmbim për njohje”, ka thënë Spahiu.
Pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fillimin e themelimit të Asociacioni të komunave serbe ka reaguar edhe KMLDNJ.
“KMDLNj nuk e ka të qartë nëse këtë e kanë dëgjuar ndërkombëtarët që po insistojnë në formimin e menjëhershëm të Asociacionit, pa e kushtëzuar apo ndërlidhur me njohje reciproke. Vetëm mund ta merrni me mend se si do të sillen udhëheqësit e komunave të përfshira në Asociacion, kur kompetencat e tyre do të jenë shumëfishë më të mëdha se që i kanë sot?! Prandaj, KMDLNj propozon që Asociacioni të formohet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të bëhet pjesë e Pakos së Marrëveshjes përfundimtare”, thuhet në një njoftim të KMLDNj.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e kishte shpallur të vdekur Asociacionin, duke thënë se formimi i tij i shkon për shtati vetëm Beogradit dhe duke përsëritur se ajo marrëveshje ishte shpallur jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Ndryshe, themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë./ arbresh.info/Vjollca Gajraku/
Peci: Në 2024 janë ndarë 89 milionë euro grante e subvencion...
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...