Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.
Presidenti serb Vuçiq të premten tha se vendi i tij kërkon kthimin në “status quo ante” (gjendjen e mëparshme) në veriun e Kosovës, si rrugë për tejkalimin e situatës së krijuar nga ato që ai i cilësoi, synim të Prishtinës për përndjekjen e popullsisë serbe, raporton Arbresh.info.
Berisha: Strategjia politike e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë dhe rreziku i destabilizimit përmes “Status Quo Ante”!
Këto kërkesa të Vuçiqit i ka komentuar deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai thotë se kërkesa e Vuçiqit për kthimin në gjendjen “status quo ante” në veri është problematike dhe e pa tolerueshme.
Sipas tij, kjo është një strategji politike nga Serbia për të ushtruar ndikim të vazhdueshëm në Kosovë përmes institucioneve që Vuçiq kërkon të riintegrohen.
“Thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë, që u mirëpritën nga BE-ja, duhen parë me kujdes, ngase Vuçiq synon izolimin dhe armiqësimin e mëtejmë të Kosovës me Perëndimin me 7 pikat e tij. Në thelb, riintegrimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës është një hap i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe për stabilitetin afatgjatë në rajon. Kjo duhet bërë me një vendim politik, përndryshe ligjërisht janë shkelur të gjitha standardet dhe afatet. Megjithatë, kjo përpjekje më së paku mund të lexohet si një përpjekje për paqe, më shumë duhet parë si një strategji politike nga Serbia për të ushtruar ndikim të vazhdueshëm në Kosovë përmes institucioneve që Vuçiq kërkon të riintegrohen. Kërkesa e Vuçiqit për kthimin në gjendjen “status quo ante” në veri është problematike dhe e pa tolerueshme”, thotë Berisha.
Deputeti i PDK-së, thotë se situata e mëparshme, në të cilën serbët kishin një nivel të lartë autonomie dhe kontrolli në veriun e Kosovës, nuk është më e qëndrueshme.
“Situata e mëparshme, ku serbët kishin një nivel të lartë autonomie dhe kontrolli në veriun e Kosovës, nuk është më e qëndrueshme. Synimi i Serbisë për të ruajtur atë gjendje krijon tensione dhe pengon përparimin drejt një integrimi të plotë të veriut në shtetin e Kosovës dhe konsolidimin e pushtetit atje. Përpjekjet e Prishtinës për të shtrirë sovranitetin e saj janë të ligjshme dhe të domosdoshme, kthimi prapa në një “status quo ante” është praktikisht i pamundur”, thekson ai.
Sa i përket angazhimit të Bashkimit Evropian në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Berisha vlerëson se është sfidë në kërkesa të këtilla si ato të Serbisë për shpalljen e zgjedhjeve lokale në veri.
“Angazhimi i BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor, por kaq të forta janë sfidat kur Serbia bën kërkesa si shpallja e zgjedhjeve lokale në veri. Një kërkesë e tillë duket të jetë një përpjekje për të shtyrë përpara një agjendë politike që i jep Serbisë avantazh në atë pjesë të territorit të Kosovës, duke rrezikuar balancën e arritur deri më tani”, shprehet ai.
Ndërsa, sa i përket kërkesave të presidentit serb Vuçiq për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, Berisha thekson se ato mund të kenë një ndikim të dyfishtë në stabilitet.
“Sa për kërkesat e Vuçiqit për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ato do të mund të kenë një ndikim të dyfishtë në stabilitet. Nëse këto kërkesa shoqërohen me synimin e sinqertë për bashkëpunim dhe integrim, ato mund të ndihmojnë në stabilizimin e situatës. Por dyshoj të përdoren si mjet për të sabotuar funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe për të mbajtur tensionet në nivel të lartë, ato vetëm sa do të thellojnë ndasitë dhe do të rrisin potencialin për destabilizim, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon më gjerë”, thotë Berisha.
Shala: Vuçiqi është “kryekapo e drogës” në Serbisë
Lidhur me kërkesat e parashtruara nga presidenti serb Vuçiq, eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka thënë se kjo është një strategji e re e Beogradit.
‘Kërkesat e parashtruar nga ana e “kryekapos së drogës” në Serbisë në raport me Kosovën dhe faktorit ndërkombëtar është një strategji e re e Beogradit për të minimizu procesin penal ndaj grupit terrorist Radojiqiqit por edhe nga 7 pika ( 4 janë politike dhe 3 janë me karakter sigurisë ) dhe në këto 4 pika aty ka elemente qe BE i ka tani qëndrimet zyrtare dhe këtë strategji të konfrontimit që ishte i Serbisë tani nga java e fundit e gushtit ka ndryshuar pozicionin duke futur një diplomaci të butë në periudhën deri pas muajve të vjeshtës të kësaj periudhe”, thotë Shala.
Sipas tij, Serbia në kuadër të kësaj strategjie siç e cilësoi ai të “butë”, po përpiqet që mos të humbet ndikimi në narrativen ndaj popullit serb në Kosovë.
“Në kuadër të kësaj strategjie të “butë” Serbia po përpiqet që ndikimi mos të humbet në narrativen ndaj popullit serb në Kosovë prandaj kërkoj status qou për fitim edhe politik por edhe terren e cila nuk do të këtë impakt në cenimin e sigurisë në vend. Procesi i zgjedhjeve lokale do të jete proces kohor normal sipas periudhës e paraparë me ligj”, thekson ai.
Ndryshe, Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.
Kërkesat e presidentit serb u paralajmëruan si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shuarjen e institucioneve paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe.
Ai thekson se “institucionet serbe” në Kosovë që u mbyllën nga autoritetet e Prishtinës, “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.
Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po u bëjnë thirrje palëve që çështjet të diskutohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u morën vesh në Bruksel dhe në Ohër./Arbresh.info/ Rita Jakupi/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...