Kërkesa e Eskobarit për shtyrjen e vendimit për targa, analistët: Çdo kërkesë që vjen nga SHBA duhet të respektohet

10:01 | 22 Tetor 2022
A. B.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qëndruar dje në Kosovë ku është pritur nga krerët dhe liderët e shtetit.

Escobar ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani që ta shtyjnë zbatimin e marrëveshjes për targa për dhjet muaj.

Një garancion të tillë Escobar duke se nuk e ka marrë, megjithatë është në pritje të tij.

Nga Qeveria e Kosovës kanë lënë të kuptohen se nuk ka ndonjë qëndrim të prerë lidhur me kërkesën e Eskobarit.

Qeveria e ka për obligim sundimin e ligjit e vendimet qeveritare thotë  zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke shtuar se sot nuk është data 30 as 31 tetor, kur edhe përfundon vendimi për targat.

Qeveria: Nuk është data 31 e as 30 tetor sot

“Ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, thotë Kryeziu.

Megjithatë, ai u shpreh se qeveria i kupton shqetësimet dhe brengat e Escobarit pasi sipas Kryeziut, siguria dhe paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët”, shtoi tutje Kryeziu për arbresh.info.

Maliqi: Çdo kërkesë që vjen nga SHBA duhet të respektohet

Analistja politike, Afërdita Maliqi thotë se çdo kërkesë që vjen nga SHBA duhet të respektohet, duke shtuar se mesazhet e Escobarit ishin të qarta.

“Unë mendoj qe çdo kërkese që vjen nga ShBA, në këtë rast nga Escobar, duhet te respektohet. Siç e pame dje, mesazhet e Escobarit ishin të qarta, qëllimi është marrëveshja finale, për të cilën tha se është çështje javësh”, u shpreh Maliqi.

Ajo shtoi se Kosova duhet të analizojë dhe të veprojë në harmoni me ShBA-të.

Ajo çka flitet me Kurtin dhe ajo çka flitet në publik, janë të ndryshme ,sipas analistit politik, Nexhmedin Spahiu.

“Varet ajo çka ka thënë publikisht edhe çka mund t’i ketë thënë Albin Kurtit. Këto mund të jenë dy gjëra të ndryshme. Kështu që ajo çfarë tha Escobar, d.m.th. nuk ka që nuk ka marrë premtim prej Albin Kurtit që këtë do ta bëjë”, u shpreh Spahiu.

Kujtojmë se vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj me kërkesë të SHBA-së pas incidenteve që ndodhën në veri të vendit.

Ndryshe, vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës./arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme