“Kërcënimi i Serbisë është real”, Kurti: Të mendohen dy herë para se të na sulmojnë

20:49 | 5 Qershor 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se kërcënimi nga Serbia është real.

Ai theksoi se Kosova është duke u përgatitur që serbët të mendohen dy herë nëse do sulmojnë. Kurti përmend shtimin e buxhetit për ushtrinë, shtimin e numrit të ushtarëve, por edhe blerjen e armatimeve nga SHBA, por dhe nga Turqia.

“Vazhdimisht Serbia bën kërcënime, por ne nuk e dimë kur do t’i materializojë ato. Përvoja dhe historia na mëson se ai që bën kërcënime, një ditë do të edhe i aktualizon kërcënimet. Duhet të jemi vigjilentë dhe sa më të përgatitur, prandaj dhe po e forcojmë ushtrinë tonë, e kemi hequr tavanin e ushtarëve, e kemi zgjedhuar moshën e ushtarëve nga 23 në 25 vjeç. Në 3 vite kemi shtuar 1852 ushtarë në FSK, edhe 600 ushtarë të rinj do të vijnë këtë vit. Nga SHBA, ne po blejmë raketa antitank “Javelin”, ndërsa nga Turqia po blejmë dronë Bayraktar. Përveç kësaj, e kemi katërfishuar numrin e trajnimeve për ushtarët dhe oficerët jashtë vendit, është dyfishuar buxheti për mbrojtjen. Ne po i bëjmë këto pikërisht se ekziston kërcënimi real i Serbisë, që shpeshherë është i shoqëruar edhe me kërcënimet e Rusisë. Ajo fjala që thotë “ka përfunduar beteja, por s’ka përfunduar lufta”, këtu vlen e kundërta, me Serbinë “ka përfunduar lufta, por nuk ka përfunduar beteja” në arenën ndërkombëtare, rrotull kufijve tanë, në luftë me krimin e organizuar, vazhdimisht kemi beteja, ku na duhet të përballemi me Serbinë, e cila nuk distancohet nga Miloshevici, nuk distancohet nga Putini, nuk pranon krimet e kryera në Kosova dhe nuk na e njeh pavarësinë.

Së fundmi, ata bënë një ushtrim ushtarak në Peshter të Sanxhakut, rreth 30 kilometra nga kufiri me Kosovën, vetëm 3 kilometra nga Mali i Zi dhe me armatim ofensiv. Ata nuk e bënë këtë në Vojvodinë nga Hungaria, por e bënë në drejtim nga Mali i Zi dhe Kosova. Është shumë e qartë se nervozizmi i tyre për suksesin e shtetit të Kosovës po përkthehet në agresivitet të shtuar. Prandaj, edhe neve na duhet të marrim masat, që të jemi sa më të përgatitur, në mënyrë që të mendohen dy herë përpara se të na sulmojnë, kështu që të mos na sulmojnë. Nëse vendosin të na sulmojnë, atëherë të dështojnë ashtu siç kanë bërë nga hera”, tha Albin Kurti në A2 CNN.

Të ngjashme