Google ADS

Kërcënimi bërthamor, sa është e mbrojtur Kosova?

08:21 | 18 Prill 2017
M. A.

Zhvillimet e fundit në botë, kanë shkuar aq larg saqë po flitet për fillimin e një lufte bërthamore.

Si pasojë e bombardimit të SHBA-së në Siri, përdorimi i “nënës së të gjitha bombave” në Afganistan, përkeqësimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi si dhe testimet raketore të Koresë së Veriut, tensionet po vazhdojnë të rriten.

Madje presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar për një përgjigje ushtarake ndaj Koresë së Veriut nëse nuk ndalojnë testimet e raketave balistike.

Nga këto konflikte vlerësohet se ekziston mundësia e fillimit të një lufte mes fuqive të mëdha, por sa janë Ballkani, dhe veçanërisht Kosova të mbrojtura nga një kërcënim i tillë?

Analisti për çështje të sigurisë Avni Islami, në një prononcim për Arbresh.info ka thënë se Kosova nuk është e përgatitur dhe as që ka ndonjë program të veçantë në rast të ndonjë sulmi bërthamor.

Sipas, Islamit, Kosova është larg të qenit vend që do ta siguronte popullatën e vetë nga ndonjë sulm bërthamor.

“Ne situata të tilla në Kosovë nuk është e përgatitur dhe as që ka një program të veçantë në rast të ndonjë sulmi bërthamor të ketë një organizim nga ana e emergjencave që Kosova të ketë mundësi të bëjë strehimin e popullatës në strehimore të veçanta, si vendet e zhvilluara të cilat i kanë paraparë edhe strehimoret e caktuara për evakuimin e popullatës. Pastaj duhen pajisje të veçanta që të jenë të gatshme të përballet me sulme të tilla”.

Deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  është shprehur për Arbresh.info se Kosova nuk është ‘kërkund’ që të përballet me këto sulme.

“Kosova nuk është kërkund si shtet i përgatitur me përballu diçka të jashtëzakonshme në sigurinë globale që mund të cenohet”, tha Berisha.

E Nuredin Ibishi nga LDK, po ashtu anëtar në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka thënë për Arbresh.info se Kosova çalon shumë në këtë drejtim, sepse sipas tij  nuk ka as informim të duhur të qytetarëve për rreziqet e këtyre sulmeve.

“Ne realisht me infrastrukturë jemi shumë larg, së pari strehimoret si kemi të rregulluara këtu nëse kish me ardh te sulmet, edhe pse ajo nuk mund të kufizohet në një cak sepse ajo ka përmasa të mëdha. Në çalojmë shumë në këtë drejtim, së pari gatishmëria për të ndihmuar popullin dhe me informu për njohuritë elementare rreth këtyre sulmeve”.

Në të tilla raste, sipas tij jeta është në rrezik edhe në aspektin e fuqizimit me mjete ushqimore, mjekësore, etj.

“Pra s’ka as qendra të evakuimit.  Ne jemi shumë pak të përgatitur për rrezik të mundshëm nga një përfshirje e tillë”, ka deklaruar Ibishi./Arbresh.info/ Mira Avdimetaj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme