Google ADS

Kërcënimet për luftë atomike, Kosova e përfshirë në aspektin sekondar

19:51 | 17 Prill 2017
Arbresh.info

Kosova si një shtet i vogël, nuk ka ndikim në zhvillimet globale dhe si e tillë nuk rrezikohet të sulmohet në rast se fuqitë e mëdha në botë fillojnë një luftë bërthamore.

Kështu thonë analistët, ku sipas tyre Ballkani, nuk ka se si të jetë pikë arene e sulmeve bërthamore, nëse eventualisht ndërmerret ndonjë sulm bërthamor, atëherë sulmohen qendrat e mëdha komanduese siç janë Uashingtoni, Moska, Pekini, Tokio etj.

Analisti për çështje të sigurisë Burim Ramadani ka thënë se Koreja Veriore duhet të ndalet sepse rreziku është mjaft i madh.

Ai ka thënë se në tërë këto rrjedha, Kosova është e parëndësishme në aspektin e zhvillimeve globale të kësaj natyre.

“Bota po përballet me situatën e mundshme të luftës midis SHBA dhe Koresë Veriore dhe si e tillë mund te jetë një situatë mjaft e rëndë. Pashmangshëm, Koreja Veriore duhet të ndalet. Rreziku për botën nëse Koreja e Veriut përdorë armë nukleare është mjaft i madh. Në fakt, deri më tash, armët nukleare paraqesin atë që njihet si “paradoksi nuklear”: janë kërcënimi kryesor i botës dhe garancioni më i madh për siguri globale, njëkohësisht. Në tërë këto rrjedha, Kosova është e parëndësishme në aspektin e zhvillimeve globale të kësaj natyre”, ka vlerësuar Ramadani në një prononcim për Arbresh.info

Deputeti nga LDK, Nuredin Ibishi, ka thënë se në një konflikt të mundshëm do të përfshihemi edhe ne, por në aspektin sekondar në krahasim me caqet primare që janë.

“Situata është e ndërlikuar për shkak të tensioneve dhe vazhdimi pro bërthamor i Koresë Veriore që realisht tash kemi një konflikt të mundshëm nga shkatërrimi i armëve bërthamore. Këto janë çështje mjaft kritike, lideri korean vazhdon të kërcënohet se në çdo rast të provokimit nga armët bërthamore, ky është një moment kritik.”

Sipas tij, konfliktet e tyre mund të kenë edhe përmasa të tjera, me përfshirjen e Rusisë.

“Ne si Kosovë jemi në kufi të një ballafaqimi që mundshëm që mund të jetë permanent edhe për këtë. Mendoj se ajo është sekondare rast të përfshirjes së Rusisë. Mendoj se ne ndoshta jemi në pjesën më sekondare, por rreziku ekziston nga kufizimi i Kosovës me zonat e interesit të Rusisë sepse Rusia ka pas shumë manovra në afërsi të kufirit të Kosovës”, është shprehur Islami.

Analisti tjetër, Avni Islami nuk sheh ndonjë rrezik permanent për një sulm bërthamor në botë.

“Ballkani, nuk ka se si të jetë pikë arene e sulmeve bërthamore, nëse eventualisht ndërmerret ndonjë sulem bërthamore, atëherë sulmohen qendrat e mëdha komanduese siç janë Uashingtoni, Moska, Pekini, Tokio ose në rastin konkret kur Koreja e Veriut po proklamon se është fuqi bërthamore dhe po i rrezikon Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Japoninë që po i bënë disa teste bërthamore”.

Edhe pse ka tensionime në përgjithësi, analisti Islami është shprehur se në rrafshin gjeo-strategjik përdorimi i armeve bërthamore është vdekjeprurës për njerëzimin dhe të gjithë janë të vetëdijshëm, edhe diktatorët me të mëdhenj.

“Nuk besoj që janë të gatshëm që t’i përdorin armët bërthamore sepse ato janë armë të shkatërrimin në masë. Pavarësisht që përmes armëve bërthamore iu bëjnë presion njëra tjetrës por unë jam skeptik se nuk do të përdoren armët bërthamore”, ka deklaruar Islami.

E për deputetin, Zafir Berisha, Kosova është shumë minore në krahasim me këto zhvillime ndërkombëtare.

“Janë kryqëzim i interesave dhe politikave të fuqive të mëdha botërore, kështu që Kosova është shumë minore në krahasim me këto zhvillimet ndërkombëtare. Ballkani mundet më qenë mollë sherr i interesave të fuqive botërore për shkak të pasigurisë që mbizotëron në Ballkan”, ka pohuar Berisha.

Si pasojë e bombardimit të SHBA-së në Siri, përdorimi i “nënës së të gjitha bombave” në Afganistan, përkeqësimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi si dhe testimet raketore të Koresë së Veriut, në botë po flitet për kërcënimet e mundshme të një lufte bërthamore. Madje presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar për një përgjigje ushtarake ndaj Koresë së Veriut nëse nuk ndalojnë testimet e raketave balistike./Arbresh.info/ Mira Avdimetaj

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme