Google ADS

Keqpërdorim me letërnjoftime në zgjedhjet e kaluara të shkurtit, Prokuroria ngritë aktakuzë ndaj tetë personave

15:48 | 29 Dhjetor 2022
E.H

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura në vitin 2021.

Sipas një njoftimi, shtatë prej tyre akuzohen për veprat penale: Keqpërdorim i të drejtës së votimit e sanksionuar me nenin 213 të KPRK-së dhe Vjedhja e identitetet dhe pajisja e qasjes, e sanksionuar me nenin 336 të KPRK-së, kurse një person akuzohet për veprën penale Kanosje nga neni 181 të KPRK-së.

“Në mesin e të akuzuarve janë: Sh. G. ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, T.Sh. zyrtar në Komunën e Pejës, K. B., M. B., D.B, Sh.Sh., S.B. dhe K.Gj.”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit akuzohen se gjatë zgjedhjeve të datës 14 shkurt 2021, kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të qytetarëve të cilët jetojnë në Austri, duke keqpërdorur sistemin e votimit me postë.

Hetimet kanë zbuluar se të pandehurit kanë keqpërdorur kopjet e letërnjoftimeve dhe të drejtën e votës për 71 qytetarë të cilët jetojnë në Austri, duke votuar në emër të tyre në procesin zgjedhor.

“Ky veprim kriminal i grupit të të pandehurve ka pasur për qëllim sigurimin e votave për kandidatin – të pandehurin Sh. G., megjithatë, i njëjti nuk ka siguruar vota të mjaftueshme për të marr mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme