Këmbimi i pronës komunale me private, Rama: Vendimi ka ligjshmërinë e ministrisë

15:44 | 19 Janar 2024
E.K

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë një reagim pas lajmeve që qarkulluan sot në media se komuna e Prishtinës ka marrë vendim për këmbimin e një prone komunale me dy pronarë privat në zonën Prishtina e Re.

Ai ka thënë se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit dhe ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Dua të sqaroj për qytetarët se vendimi për këmbim i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit, i cili vendim ka marrë edhe ligjshmërinë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e specifikon që prona 8 hektarëshe e pronarëve privat, do të këmbehet me një PJESË të pronës rreth 20 hektarëshe. Pra, vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe ashtu siç është keqraportuar në media. Këtë PJESË të vlerësimit të pronave, nuk e përcaktoj as unë si Kryetar e as Kuvendi i Kryeqytetit, por e përcakton Ministria e Financave në bazë të kritereve për vlerësim të pronave të definuara me legjislacion”, tha Rama.

Ai ka thënë se Komuna do ta bëjë ekzekutimin e vendit, bazuar në vlerësimin final që do ta marrë nga Ministria e Financave.

“Komuna e Prishtinës ashtu siç vepron në secilën procedurë të këmbimit të pronave, do ta bëjë ekzekutimin e vendimit në bazë të vlerësimit final që do ta marrë nga Ministria e Financave”, ka shkruar Rama./Arbresh.info

Të ngjashme