Google ADS

KEDS palon milionat me energjinë që ia merr ‘falë’ KEK-ut

08:12 | 30 Maj 2019
Arbresh.info

Përveq se Korporata Energjetike e Kosovës është prodhuesi, furnizuesi më i madh me energji në vend, ky gjigand përballet me shumë probleme, duke nisur nga problemet me udhëheqjen e saj, tenderët skandaloz, shpronësimet që lidhen me punën e saj, duke vazhduar edhe me shitjen e energjisë me një vlerë shumë të ulët, kundrejt kompanisë se distribuimit e cila e shet atë shumë fish më shtrenjtë.

Në Kosovë, për momentin për furnizim të qytetarëve i vetmi i licencua është KEDS-i.

KEK-u ka kontratë me KEDS-in, ndaj të cilës çmimin për megavat e ka 29 euro, ndërsa kjo e fundit e shet 80 euro megavatin rreth tre fish më shtrenjt sesa e blen.

KEK-u me KEDS-in në bazë të kontratës që kanë, ia shet rrymën KEDS-it,  dhe në qoftë se KEK-u nuk i jep sasinë e caktuar, ata mund të penalizohen pasi në kontrata parashihen sanksionet penale ndaj për mos-kryerjen e obligimeve.

Çmimin prej 29.00 €/MWh e konfirmon  për Syri.net Kosova edhe Skender H. Bucolli zëdhënesi i KEK-ut.

“Çmimi i energjisë elektrike të cilin KEK ia shet KESCO-së për furnizim të Shërbimit Universal (që janë të gjithë konsumatorët e rendomtë) në bazë të marrëveshjes aktuale është 29.00 €/MWh.

Ndërsa çmimi i energjisë elektrike të cilën KEK ia shet KEDS-it për mbulimin e humbjeve në Distribucion dhe mbulimin e humbjeve në Transmision të cilën KEK ia shet KOSTT-it është 35.40 €/MWh.”

Por Bucolli, thotë se pavarësisht kësaj çmimet e lartë cekura nuk e mbulojnë koston e prodhimit të qëndrueshëm as kostot investive.

“Përndryshe, çmimet e lartë cekura nuk e mbulojnë koston e prodhimit të qëndrueshëm as kostot investive për ruajtjen e gjendjes së stabilimenteve për prodhim afatgjatë dhe miqësorë ndaj mjedisit. Për këtë arsye, KEK është duke kërkuar në mënyrë të argumentuar tash e një kohë nga palët e nderlidhura, negocimin e çmimit që reflekton koston e prodhimit të qëndrueshëm afatgjatë”.

Eksperti i ekonomisë Jakup Bellaqa per “Syri.net Kosova” thotë se me terma real ekonomik, një nga arsyet bazë se pse ndodh kjo është se këtu ka monopol në treg.

“Sa i përket se Kek-u e shet rrymen 26-29 euro megavatin, Keds na shet neve 80 euro, konstatoj se është diferencë e madhe ku i bjen qe te fitojë diku rreth 54 euro, megavatin qe e fiton Keds, kjo është super fitim me terma real ekonomisë, një nga arsyet bazë është se ketu ka monopol në treg sepse është vetem një shitës i rrymës dhe vetëm një prodhues i rrymës, në rastet kur ka monopol at’herë, edhe i dikton çmimet apo i cakton vetë çmimet dhe nuk i cakton konkurenca sepse nuk ka konkurenc, ndërsa për ne rryma është produkt jetik pa të cilin nuk mundemi të zhvillojmë funksionet jetësore apo nuk mundem ta zhvillojmë jetën. “

Sipas tij, në ketë rast duhet të veproj apo të ndërhyjë urgjentisht Rregullatori i Energjisë.

“Ata duhet të veprojnë qe tarifat e energjisë të jenë sipas rajonit dhe sipas kostos, gjithmonë duke vepruar sipas ligjeve në fuqi, sepse edhe për ketë ekziston ky organ kompetent qe ka mandat ti rregulloj tarifat, ti monituroj dhe ti shqyrtoj ankesat, sepse kjo gjendje e dëmton xhepin e familjeve kosovare, rrjedhimisht në ketë kontest,ë duke marrur për bazë gjendjen e përgjithshme socio – ekonomike, ende e pavolitshme, ku pagat jan ende të vogla, papunësia ende e madhe diku rrethë 29% përqind”

Ndërsa analisti Mustafë Kadriaj për “Syri.net Kosova” vlerëson se në çështjen e çmimit kemi korrupsionin më të pastër që këta padron janë vetëm formal por këtu funksionon mafioligarkia e cila ështe tani më sistem i jetës institucionale.

Menyra e privatizimit dhe e funksionimit të shërbimit të energjisë elektrike, duke u shitur me çmim qesharak ku dihet që kthimi i investimeve është i sigurt duke ditur rendësinë e energjisë, poashtu fakti qe KEK-u i shet dy herë më lirë sesa KEDS ua shet qytetarëve, në këtë rast kemi korrupsinin më të pastër që këta padron janë vetem formal por këtu funksionon mafioligarkia e cila ështe tani më sistem i jetës institucionale, ku edhe organet të quajtura të pavaruara si drejtësia dhe organet e rendit janë të heshtura para këtyre njerëzve.

 

Sipas Kadriajt, për fat jo të mirë meritokracia është vetëm në letër por asgjë nuk ndodh pa kaluar në thierrzën e ketyre grupeve jo formale si në punësim, prokurim ngritje dhe çmime në treg si derivate e të ngjashme.

Duke mos mjaftuar dallaveret me çmimet, ky gjigand përballet edhe me problemet e shpronësimeve në afërsi të këtij gjigandi dhe tenderëve skandaloz brenda korporatës.

Vite më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit, kishte privatizuar dhjetëra hektarë tokë me çmime shumë të uleta, ku dyshohet se pronar të tyre u bënë fytyra të njohura nga politika.

Por tash disa nga këto toka, shteti synon sërish t’i shpronësojë me qëllim të zgjerimit të mihjes së re. Gati gjysma e këtyre pronave të shitura gjenden në afërsi të termocentralit Kosova B dhe vendit ku potencialisht mund të ndërtohet termocentrali i ri.

E nëse këto toka do të shpronësohen në të ardhmen, KEK-u do të obligohet të paguajë miliona euro.

Zëdhënësi Bucolli, tregon për “Syri.net Kosova” se rreth procesit të zhvendosjes, KEK ka dy projekte të zhvendosjes.

“Procesi I zhvendosjes  52 Hektarësh  ka  përfshirë  gjithsejte 255 – (PNP) banorë të afektuar në projekt, në zonat kadastrale Hade dhe Shipitull KK-Obiliq,”

I tër procesi  i zhvendosjes sipas zëdhënsit ka përfunduar me sukses,  ku banorët janë kompensuar në tërësi dhe patundshmëritë nga personat fizik janë bartur në operatin kadastral në pronësi të KEK.sh.a.

Vlera financiare e zhvendosjes sipas tij ka arritur në afër 20 milion euro.

Ndërsa procesi tjeter i  zhvendosjes  prej 120 hektarësh përfshi zonat kadastrale : Shipitull, Hade, Sibovc, Vodic dhe Leshkoshiq  KK-Obiliq sipas elaboratit te DPQ-se përfshinë gjithsejte 278 (PNP), sipas zëdhënësit ende është në proces ndërsa vlera e tij ende nuk dihet

Sa i përket këtij projekti, komisioni  i KEK.sh.a  ende është duke vazhduar me regjistrim dhe incizim të patundshmërive me gjithë banorët që po pranojnë incizimin, ndërsa  sa i përket kostos se këtij projekti është shumë herët te flitet tani.

Ndërsa ekonomisti Bellaqa, vlerëson se  shpronësimi duhet të bëhet sipas çmimit tregut dhe të këtë transparencë.

“Komisioni i formuar për këtë çeshtje do të duhej të jetë transparent, fer, dhe jo diskriminues, pra te jetë objektiv dhe jo subjektiv, shpronësimi të bëhet ashtu sipas çmimit tregut, ekuilibrues dhe jo të jetë nën çmimin e tegut, apo mbi çmimin e tregut, dhe në ketë aspekt edhe kompensime të bëhen sipas vlerës reale, dhe ky proces të shkoj deri në fund me një transparencë të tejdukshme.”

Mirëpo KEK-un nuk e rendojnë vetëm këto probeme, pasi që dallaveret me tendere brenda saj kanë shkaktuar skandale të ndryshme, ku prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion për tenderin e më shumë se 6 milionë euro për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut.

Në këtë rast u përfshi edhe ish-kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku të cilin Gjykata Themelore e Prishtinës, e liroi nga akuza për shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendonte, se të të pandehurit kanë bashkëpunuar për t’i mundësuar dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”.

Pronar i kompanisë që kishte fituar tenderin ishte Milazim Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut.

Kjo nuk ishte e tëra, pasi që në disa raste shpërbleu me kontratë kompani që ofertonin me produkte të rrejshme dhe që i mungonte siguria e tenderit.

Per analistin Kadriaj, si rezultat i keqeverisjes në vend po shkatërrohen vlerat më domethënëse ekonomike, pasuritë nentokësore krahas tyre edhe elektroenergjia si promotor të zhvillimit ekonomik të cilai si rezultat i dorës së njeriut, janë kthyer në ndërmarrje që të mbahen me infuzion buxhetor diqka e pa pranueshem në logjikën ekonomike, për faktin që këto biznese kanë klinetelën më të sigurt në treg. /Syri.net Kosova

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme