KEDS-i paralajmëron Stantërgasit se do t’i shkyç nga rrjeti i rrymës së Trepçës, këta protestojnë

20:31 | 24 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Ndonëse thonë se janë pagues të rregullt të energjisë elektrike, banorët e mbi 250 shtëpive të fshatit Stan Tërg të Mitrovicës, rrezikojnë të mbesin pa rrymë.

Kjo pasi që KEDS-i i ka paralajmëruar ata se do t’i shkyçë nga rrjeti elektrik i Trepçës, raporton KTV.

Kështu, kyçja për ta do të bëhet në rrjetin e ri elektrik, i cili siç thonë banorët, do t’u sjell vetëm telashe.

Ata shprehen se e vetmja gjë e mirë që i ka mbetur nga paslufta është furnizimi me energji elektrike nga rrjeti i minierës Trepça.

Ankohen se me këtë veprim të KEDS-it, do të dëmtohen në shumë forma.

Ata thonë se të palëkundur do t’i qëndrojnë realizimit të kërkesave të tyre në çdo formë, madje edhe duke rrezikuar t’i largojnë përçuesit që bartin energjinë në minierën e Trepçës.

Tjetër hall i tyre është edhe rreziku nga ndërprerja e furnizimit me ujë të pijshëm, i cili u sigurohet atyre vetëm përmes energjisë elektrike.

E, pa energji elektrike tash e dy javë kanë mbetur edhe banorët e ndërtesës së Entit Social në këtë lagje.

Për të gjetur zgjidhje, ata kanë tërhequr kabllo elektrike nga fqinjët e tjerë.

Në KEDS thonë se kjo po bëhet për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike, duke ofruar zgjidhje më të përshtatshme.

Por, në KEDS nuk kanë dhënë përgjigje se pse banesat e Entit Social në Mitrovicë, kanë mbetur pa energji elektrike tash e dy javë.

Banorët e Stan Tërgut, kanë protestuar edhe më herët për të njëjtat arsye.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme