Google ADS

KEDS dyfishon kapacitetin e trafove në Veternik për të forcuar rrjetin elektrik në Prishtinë

12:32 | 17 Shtator 2024
E.K

Kompania KEDS ka nisur një projekt të rëndësishëm për përmirësimin e rrjetit elektrik në Prishtinë.

Sipas komunikatës nga KEDS afro njëqind trafo në zonën e Veternikut do të konvertohen nga tensioni 10kV në 20kV, kështu duke dyfishuar kapacitetin e tyre.

Ky investim përfshin përmirësimin e infrastrukturës në magjistralen Prishtinë – Ferizaj dhe në Zonën Industriale të kryeqytetit, ku ndodhen disa nga bizneset më të mëdha në vend. Procesi i konvertimit përfshin shndërrimin e daljeve nga Nënstacioni Prishtina 7, të cilat shtrihen për më shumë se 10 kilometra. Deri tani, janë konvertuar 50 trafo dhe gjatë ditës së djeshme janë përfunduar 30 të tjera. Në ditët në vijim pritet të përfundojë konvertimi i 20 trafove të mbetur.

“Ky projekt është një hap i rëndësishëm për rritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve elektrike për bizneset në këtë zonë. Për më tepër, investimi do të kontribuojë në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rrjetit elektrik, duke përballuar më mirë kërkesat në rritje për energji”.

“KEDS vazhdon të investojë në përmirësimin e rrjetit elektrik, duke realizuar dhjetëra projekte në rajonin e Prishtinës dhe planifikon realizimin e 250 projekteve në të gjithë Kosovën gjatë këtij viti. Ky angazhim për zhvillimin e infrastrukturës elektrike synon të përmirësojë shërbimet për konsumatorët dhe të mbështesë rritjen ekonomike të vendit”,thuhet në komunikatën e dërguar nga KEDS./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme