KE pret nga Haradinaj demarkacionin e luftën kundër krimit

18:03 | 28 Shtator 2017
Arbresh.info

Dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave vazhdojnë të jenë makth edhe për qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Pas përpjekjeve të dështuara në Malin e Zi për të gjetur një zgjidhje për marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, zv.kryeministri Behgjet Pacolli sot ka udhëtuar për në Bruksel për të diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave, shkruan albeu.com.

Nga ana tejtër Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në një intervistë për një të përditshme austriake ka thënë se marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, pritet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit mars të vitit të ardhshëm.

“Qeveria e kaluar nuk arritur ta kalojë marrëveshjen për shkak se u rrëzua. Kjo temë tani do të diskutohet në parlament ose gjatë janarit ose gjatë shkurtit. Marrëveshja do të ratifikohet deri në muajin mars. Kjo do të mundësojë ta përmbushim kriterin e fundit për vizat” ka thënë Hoxhaj.

E megjithatë Komisioni Evropian i pyetur nga albeu.com për deklaratën e Hoxhajt që demarkacioni mund të shtyhet deri në mars është shprehur se ka rëndësi të plotësohen këto dy kriteret. Por ka nënvizuar indirekt se këto kritere duhet të plotësohen sa më shpejt.

Në një pronocim Komisioni Evropian shpreson nga qeveria e re përmbushjen e kritereve.

“Komisioni është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës. Tani, me një qeveri të re në vend , Komisioni Evropian shpreson në përmbushjen e standarteve të pazgjidhura, siç janë dëshmi të dënimeve në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi. Kjo duhet të jetë një proces i vazhdueshëm.” thekson Komisioni Evropian për albeu.com.

Ndërkaq, Kryeministri Haradinaj ka paralajmëruar se në rast të mos arritjes së një zgjidhje me Malin e Zi, atëherë kjo marrëveshje do të rrëzohet në Kuvendin e Kosovës, që sipas kësaj situate nënkuptohet mos liberalizim i vizave me zonën shengen të Bashkimit Evropian./albeu.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme