Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se Projektligji i ri për zgjedhjet e përgjithshme e cenon integritetin zgjedhor.
Sipas KDI-së edhe pse pritjet ishin që Komisioni ad-hoc për Reformë Zgjedhore të trajtonte reformën zgjedhore në mënyrë më përmbajtjesore, projektligji që do t’i prezantohet Kuvendit ka adresuar vetëm çështje të natyrës teknike që lidhen me administrimin e zgjedhjeve, e të thuhet se cilat ishin kërkuar vazhdimisht nga misionet e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Shumë elemente, që janë në interes të garantimit të përfaqësimit sa më të drejtë dhe avancimit të demokracisë janë lënë anash, përkundër nevojës dhe rëndësisë që ato kanë. Në fakt, kjo ‘reformë’, përtej ndryshimeve kozmetike, i ka shërbyer shumë më tepër akomodimit të interesave të ngushta të subjekteve politike, veçanërisht lidhur integritetin e procesit zgjedhor – ku është shënuar regres serioz”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Sipas KDI-së subjektet politike janë pajtuar që me këtë projektligj ta ulin standardin për përshtatshmërinë juridike të kandidatëve, që në praktikë ua mundëson kandidimin edhe atyre që janë të dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale.
“Ndalesa për të qenë kandidat në lista zgjedhore do të vlejë vetëm ndaj personave të dënuar me burgim efektiv prej së paku një viti apo atyre me dënime plotësuese. Duke qenë se sistemi ynë i drejtësisë shquhet për politikë të ulët ndëshkimore – ku vetëm gjatë dy viteve të fundit 2/3 e veprave penale për korrupsion kanë përfunduar me dënim me kusht apo me gjobë – projektligji i ri i hapë rrugë kandidimit, rrjedhimisht zgjedhjes së personave që kanë probleme me ligjin”, thuhet në komunikatë.
KDI-ja ka rekomanduar që kandidimi t’u mohohet të gjithë personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dënimit, për veprat e rënda penale të përcaktuara sipas nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës – ku mes tjerash, përpos veprave të dënueshme me mbi 10 vjet burgim, përfshihen edhe veprat penale të korrupsionit, veprat e cenimit të të drejtave zgjedhore dhe kundër integritetit të zgjedhjeve, krimin e organizuar.
“Me projektligjin e ri është ndryshuar edhe votimi preferencial, nga pesë kandidatë – sa ka qenë deri më tani, në 10 – sa ka qenë në zgjedhjet e vitit 2007. Bazuar në përvojën tonë në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe edukimin e votuesve, dhënia e mundësisë për votuesit që të votojnë deri në 10 kandidatë nuk kontribuon në përfaqësim më të mirë apo më kualitativ në Kuvend. Për më keq, rritja e votës preferenciale ka ndikim negativ edhe në administrimin e zgjedhjeve. Përveç dyfishimit të kohës që duhet për numërimin e këtyre votave, rritet potenciali i manipulimit të vullnetit qytetar nga ana e komisionerëve, posaçërisht në rastet kur votuesit potencialisht do të shënjojnë më pak se 10 kandidatë”, thuhet në komunikatë.
Sipas KDI-së duke analizuar trendet e deritanishme të votimit, del se votuesit zakonisht nuk votojnë as pesë kandidatë, sa ua mundëson sistemi aktualisht. “Në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare (2021, 2019 dhe 2017) votuesit kanë votuar mesatarisht katër kandidatë. Kurse, edhe në vet zgjedhjet e vitit 2007 kur kemi pasur votim preferencial deri në 10 kandidatë, mesatarja e kandidatëve të votuar është vetëm 5.3 sosh. Prandaj, KDI rekomandon që vota preferenciale duhet të kufizohet në tre kandidatë, duke kontribuar në një garë më konkurruese mes kandidatëve dhe duke siguruar të ruhet kuota gjinore prej 30%”, thuhet në komunikatë.
Çështja e tretë problematike që është futur në Projektligjin e ri për zgjedhjet, sipas KDI-së, është mundësia e shkarkimit të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së me propozim të 2/3 e përbërjes së KQZ-së, për rastet e shkeljeve të integritetit apo statusit të KQZ-së, që deri më tani ka qenë në diskrecion të plotë të presidentit.
“Ndryshimet e propozuara, përveç se nuk adresojnë problematikën e paqartësisë mbi rrethanat e shkarkimit, në fakt mundësojnë cenim edhe më të rëndë të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së. Ndryshimet në fakt mundësojnë politizimin e përfundimit të mandateve të kryesuesit apo anëtarëve të KQZ-së, duke minuar besimin e publikut në këtë institucion. KDI vlerëson që KQZ-ja nuk duhet të ketë mundësi të propozojë shkarkimin e anëtarëve apo kryesuesit lidhur me shkeljet e pretenduara të statusit apo integritetit të KQZ-së. Kurse, projektligji i ri duhet të parashohë qartazi rrethanat, veprimet apo mosveprimet, të cilat mund të përbëjnë shkelje të integritetit apo statusit të KQZ-së – që mund të përdoren si bazë për përfundimin e parakohshëm të mandatit të anëtarëve të KQZ-së”, thuhet në komunikatë.
Përveç reagimit mbi këto tre probleme më akute që prekin integritetin e zgjedhjeve, KDI dhe Demokracia në Veprim gjatë ditëve në vijim thuhet se do të paraqesin dhe elaborojnë elemente tjera të sistemit zgjedhor të cilat, siç theksohet, fatkeqësisht nuk janë marrë fare në konsideratë nga Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore.
Muajin e kaluar, Komisioni ad-hoc për Reformë Zgjedhore përmbylli punën e tij njëvjeçare, që rezultoi me një draft të ri të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është miratuar në parim. Ky projektligj reflekton një konsensus të plotë mes subjekteve politike parlamentare, të cilat janë dakorduar edhe për shqyrtimin e përshpejtuar të tij. /Arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...