Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot konferencë për media, gjatë së cilës u shpalosën të gjeturat nga monitorimi dhe vlerësimi i punës së Kuvendit të Kosovës në sesionin pranveror, ndërsa u tha se puna e Kuvendit po është peng i brishtësisë së shumicës parlamentare.
Eugen Cakolli nga KDI, deklaroi që mbyllja e punimeve të sesionit pranveror nga Kuvendi, në kohën kur vendi ndodhet në mes të krizës ekonomike dhe asaj shëndetësore dhe disa projektligje që ndërlidhen me menaxhimin e pandeminë janë ende në procedurë, është i gabuar.
Sipas tij, aktivitetet e Kuvendit gjatë këtij sesioni, veçanërisht gjatë periudhës mars-maj, ishin minimale, kurse performanca në ushtrimin e funksioneve ligjvënëse, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese ka qenë e dobët.
“Përveç problemeve me pandeminë, Kuvendi është ballafaquar edhe me kriza dhe përplasje politike, të cilat kulmuan me votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë ‘Kurti’ dhe votimin e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Gjatë periudhës të ndryshimit të qeverive, Kuvendi ka qenë tejet i limituar në ushtrimin e punës, për shkak të pamundësisë për të ndërvepruar me një qeveri të shkarkuar, e në mungesë të një qeverie të re”, deklaroi Cakolli.
Ai tutje shtoi se puna dhe aktivitetet e Kuvendit në përgjithësi, përveçse të pakta, ishin edhe peng i mungesës së konsensusit politik, përkatësisht të brishtësisë së shumicës së re parlamentare, e cila në shumë raste dështoi të siguronte edhe shumicën minimale për votim në Kuvend.
Edhe pse pas votimit të Qeverisë Hoti, Kuvendi i ishte kthyer punës me kapacitete të plota, dinamika e punës kishte rënë ndjeshëm pas infektimit të disa deputetëve me coronavirus.
Sipas KDI-së, në këtë drejtim, Kuvendi, përkundër presionit publik dhe kërkesave të vazhdueshme, për shkak të mungesës së konsensusit politik, nuk kishte arritur që të bëjë ndryshimet e nevojshme në Rregulloren e Punës, për të mundësuar zhvillimin e punimeve në mënyrë elektronike.
Sa i përket agjendës dhe mënyrës së zhvillimit të punës nga Kuvendi, Cakolli deklaroi që për shkak të pandemisë, ato kishin ndryshuar, meqenëse seancat plenare u zhvilluan pa prani të mediave dhe shoqërisë civile, si dhe, me pajtim të grupeve parlamentare në disa raste u reduktua edhe kohëzgjatja e diskutimeve. “Në anën tjetër, disa prej komisioneve parlamentare, në disa raste aplikuan edhe metodën e mbajtjes së mbledhjeve në mënyrë virtuale” shtoi ai.
Mungesa e kuorumit në votim vazhdon të mbetet një prej sfidave kryesore të Kuvendit, edhe gjatë kësaj legjislature.
Sipas Cakollit, kjo problematikë është shpërfaqur më së shpeshti gjatë miratimit të pikave që kërkojnë konsensus më të gjerë politik, siç janë ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. “Në mungesë të votave të 2/3 së deputetëve, pesë marrëveshje ndërkombëtare u ratifikuar vetëm pas tentativës së tretë dhe një muaj pasi ishin prezantuar para deputetëve në seancë”, tha ai.
Cakolli deklaroi që ky sesion u karakterizua edhe me përdorim të shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve joparlamentare nga ana e deputetëve gjatë diskutimeve, duke penguar kështu mbarëvajtjen e punimeve si në seanca ashtu edhe në mbledhje të komisioneve, ku në dy raste kishte pasur ndërprerje të punimeve për shkak të situatave të krijuara.
Sidoqoftë, puna e Kuvendit nuk ka kaluar pa zhvillime pozitive. Sipas Cakollit, është vërejtur përmirësim në mënyrën e organizimit të punimeve plenare dhe mbledhjeve të Kryesisë bazuar në Rregulloren e Punës, si dhe në numrin relativisht të madh i nismave ligjore të deputetëve. Po ashtu, zhvillime pozitive janë shënuar edhe në ruajtjen dhe shpenzimin më racional të parasë publike, pas vendimit të Kryesisë për reduktimin e shpenzimeve telefonike.
Në fund u ofruan të dhëna statistikore lidhur me punën dhe performancën e Kuvendit, si vijon:
– Janë mbajtur gjithsej 24 seanca, pesë prej të cilave nuk kanë arritur të përmbyllen për shkak të mungesës së kuorumit për t’iu dhënë epilog edhe gjashtë pikave të mbetura nga këto seanca. Nga 24 seanca të mbajtura, 13 prej tyre janë plenare, 7 të jashtëzakonshme dhe 4 solemne, ndërkaq në 11 raste ato kanë vazhduar për një ditë tjetër për shkak të mungesës së kuorumit në votim.
– Gjatë sesionit pranveror, komisionet parlamentare kanë realizuar gjithsej 145 mbledhje, prej të cilave 10 në mënyrë virtuale, si dhe është zhvilluar vetëm një dëgjim publik. Mbledhjet e mbajtura në mënyrë virtuale, kanë qenë të mbyllura për mediat dhe publikun, që ka pamundësuar monitorimin e agjendës dhe vendimmarrjes së tyre.
– Përveç punës së komisioneve funksionale, ky sesion është karakterizuar edhe me punën e komisioneve hetimore. Përgjatë kësaj periudhe janë formuar tri komisione hetimore parlamentare, ndonëse dinamika e punës së dy prej tyre, që tashmë kanë filluar punën, ka qenë e ulët, marrë parasysh faktin që kanë afat të caktuar të funksionimit deri në 6 muaj.
– Ndonëse Kuvendi nuk ka miratuar planin e punës, bazuar në planin legjislativ të qeverisë dhe projektligjet e iniciuara nga vet deputetët, agjenda legjislative e Kuvendit përfshin gjithsej 138 projektligje. Gjatë sesionit pranveror, Kuvendi ka arritur që të miratojë vetëm 10 projektligje apo 7% të numrit të përgjithshëm të projektligjeve të planifikuara. Në komisionet parlamentare, në procedurë për shqyrtim janë edhe 8 projektligje (6%). Ndërsa, 120 projektligje (87%) nuk janë proceduar ende në Kuvend nga Qeveria. Nga 10 ligjet e miratuara, nëntë prej tyre kanë të bëj me menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Për shkak të emergjencës, Kuvendi ka shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar pesë nga 10 ligjet e miratuara.
– Sa i takon rolit mbikëqyrës, janë parashtruar gjithsej 71 pyetje parlamentare, prej të cilave 31 nga grupi parlamentar i LVV-së, pasuar nga PDK me 23 pyetje, AAK me 10 pyetje, LDK me 6 pyetje dhe 6+ me 1 pyetje.
– Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi ka mbajtur vetëm një interpelancë drejtuar Kryeministrit Hoti e iniciuar nga grupi parlamentar i LVV-së, nga e cila është propozuar edhe një rezolutë por që nuk ka marrë përkrahjen e shumicës së deputetëve që kanë votuar.
– Gjatë këtij sesioni, kanë dominuar debatet parlamentare, me gjithsej gjashtë të tilla, tri prej të cilave nuk janë përmbyllur për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar rezolutat apo rekomandimet e nxjerra nga ato debate. Në anën tjetër, Kuvendi ka miratuar gjithsej tri rezoluta, duke përfshirë atë për dialogun Kosovë–Serbi, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës dhe si dhe rezolutën për unitetin politik për mbrojtjen e vlerave të popullit të Kosovës që erdhi pas publikimit të propozim-aktakuzave të para për krime lufte nga Gjykata Speciale.
– Sa i përket mbikëqyrjes nga komisionet parlamentare, nëntë prej 14 komisioneve parlamentare kanë ftuar për raportim gjithsej 23 herë ministrat e kabinetit qeveritar.
– Në këtë sesion, nuk është realizuar asnjë aktivitet në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, pavarësisht planifikimeve nga komisionet parlamentare.
– Dialogu Kosovë-Serbi, u diskutua në 11 prej seancave të mbajtura, ndërsa, si pikë e rendit të ditës, dialogu ishte në gjashtë prej tyre. Nga gjithsej gjashtë debatet parlamentare, tri prej tyre ishin lidhur me dialogun. Interpelanca e vetme e mbajtur, ishte për çështjen e dialogut, përkatësisht me heqjen e masave të reciprocitetit nga Qeveria ‘Hoti’. Një prej rezolutave të miratuara ishte lidhur me dialogun. Një prej dy raportimeve të kryeministrit Hoti ishte lidhur me dialogun. Dy prej pyetjeve parlamentare të parashtruara nga deputetët, ishin lidhur me dialogun. Dialogu si temë është ngritur në 18 mbledhje të komisioneve parlamentare, ndërsa në një prej tyre ka qenë edhe pjesë e rendit të ditës. Dy prej raportimeve të ministrave në komisione, kanë trajtuar edhe çështjen e dialogut.
– Sa i përket transparencës financiare, për periudhën raportuese, Kuvendi ka miratuar dhe publikuar vetëm raportin financiar për tre mujorin e parë të këtij viti. Në bazë të këtij raporti, deputetët kanë realizuar vetëm 16 udhëtime jashtë vendit me rreth 12 mijë euro shpenzime. Ky numër i vogël i udhëtimeve vjen për shkak të situatës me pandeminë që i ka pezulluar edhe aktivitetet në fushën e diplomacisë parlamentare.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...