Raporti “Kosova Dhuron 2023”, i publikuar në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, paraqet një rekord të ri të kontributit filantropik në Kosovë që arrin shumën e mbi 8.7 milionë euro të dhuruara përmes 793 rasteve të dhurimit për bamirësi dhe përkrahje tjera.
Përmes një njoftimi për media nga Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile (KCSF) thuhet se këto të dhëna tregojnë një angazhim të lartë të qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile (OShC) në mbështetjen e projekteve dhe nismave që përmirësojnë cilësinë e jetës në komunitet.
“Të dhënat e raportit tregojnë se dhuruesit individual dhe OShC-të kanë luajtur rol vendimtar në rritjen e filantropisë në Kosovë. Sipas analizës së të dhënave, donacionet e qytetarëve përbënin gati gjysmën e shumës së regjistruar të dhurimeve. Dhënia individuale për kokë banori arriti në 5 euro, ndryshe nga viti i kaluar kur kjo shumë ishte 1.9 euro. Kontributet e diasporës mbeten pjesë e rëndësishme e ambientit filantropik në Kosovë, me mbi 1.2 milionë euro të dhuruara përmes 130 rasteve të donacioneve”, thuhet në kumtesë.
Ndërsa sa i përket numrit të rasteve, të dhënat e raportit tregojnë se individët dhe familjet ishin kategoria më e madhe e pranuesve me 52.6%, përcjellë nga OShC-të me 36.7%.
Tutje nga komunikata bëhet e ditur se shumë nga donacionet kanë qenë të destinuara për të lehtësuar varfërinë, duke ndihmuar kryesisht individët me vështirësi ekonomike. Ndihma është përqendruar kryesisht në efektet afatshkurtra, duke synuar mbështetjen e njerëzve në nevojë dhe grupet e cenueshme.
Gjeografikisht, Prizreni vazhdon të dëshmojë numrin më të madh të rasteve të dhurimeve, pasuar nga Prishtina dhe Mitrovica./Arbresh.info/
Osmani: Të mbijetuarat e dhunës seksuale mishërojnë qëndrues...
”Ne e urrejmë atë”/ Reagojnë ashpër familjarët e Arionit pas...
Vrasja e adoleshentit në Tiranë – Mbahet 1 minutë heshtje ng...
Gjykata e Posaçme e Apelit jep vendimin për Ilir Metën, lë n...
Maliqi shprehet i zhgënjyer që “Dardanët” e rinj...
Republikanët në Senat gati të fillojnë punën me udhëheqjen e...