Katër persona të prangosur/ A po sfidohen organet e shtetit nga “AlbKings”, flet eksperti i kibernetikës

09:54 | 17 Maj 2024
L G

Njësiti i Hetimeve të Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës ka muaj që po sfidohet nga një grup famëkeq i quajtur “Albkings”, i cili është hapur në platformën “Telegram”, grup ky që po mundohet të denigrojë femrat kosovare, duke postuar fotografi, video, por edhe numra të telefonit, e adresa të tyre.

Ky grup ka rreth 200 mijë anëtarë, nga të gjitha trojet shqiptare.

Në pranga të Policisë së Kosovës në fillim të muajit prill të këtij viti, ra njëri nga administratorët e këtij grupi, i dyshuari Edvin Nevzati, i njohur me nofkën “Freekiller”, i cili gjendet në paraburgim.

Po ashtu, ditë më parë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Agron Nezaj, bëri të ditur se nga ky grup deri tash janë arrestuar katër persona, sfida e shtetit me grupin famëkeq po vazhdon.

Ekspert i kibernetikës, Mentor Hoxhaj, pretendon se personi i arrestuar, Edvin Nevzati, mund të bashkëpunojë me prokurorinë për të ndihmuar e lehtësuar kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë grup.

Në një intervistë për Arbresh.info, Hoxhaj, po ashtu shprehet kundër hapësirës që po i jepet këtij grupi në media.

“Personi i cili tashmë është i arrestuar mund të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj sfide dhe se dënimi i merituar në këtë drejtim mund të ishte një lajm i mirë dhe publicitet që duhej të jepej nga mediat dhe të dekurajohen të gjithë personat që merren me këto raste”, thotë Hoxhaj.

Kosova , sipas tij, do të sfidohet jo vetëm nga ky grup, por edhe nga grupe të tjera, por sipas tij, d ky grup duhet të shërbejë si një test për institucionet e sigurisë.

“Realisht, shteti jonë do të sfidohet jo vetëm nga ky grup, por edhe nga grupe të tjera kohë pas kohe. Ky rast duhet të shërbejë si një test për institucionet e sigurisë së Kosovës në aspektin e sigurisë kibernetike si për nga qasja ashtu edhe për nga zgjidhja”, shprehet ai.

Hoxhaj, thotë se organet e sigurisë kibernetike duhet të bashkëpunojnë më shumë me qytetarët për këto raste dhe t’i raportojnë këto grupe.

Sipas tij, jo vetëm personat që kanë krijuar këtë grup, por edhe ata që janë anëtarësuar në të mund të jenë pjesë e hetimit të organeve të sigurisë.

“Në këtë drejtim organet e sigurisë kibernetike duhet të bashkëpunojnë shumë me qytetarët dhe të gjitha personat që duan të ndihmojnë, apo të raportojnë diçka të ngjashme, këtë po e them se çdo anëtarë mund të jetë subjekt i hetimit. Bashkëpunimi më qytetarët mendoj se është një element kyç, i cili do të ndihmonte në raportimin ashtu edhe në preventimin e rasteve të tilla të ngjashme”, tregon Hoxhaj.

Megjithatë, ai ka një kritikë edhe për mediat, të cilat sipas tij, duke tentuar ta mbulojnë rastin, janë duke ju dhënë më shumë hapësirë personave që janë duke shpërndarë përmbajtje të papërshtatshme.

Pre e këtij grupi ditëve të fundit ka ra edhe gazetarja Ardiana Thaçi, pas raportimeve të lidhur me këtë grup në emisionin e saj.

Numri i Thaçit u shpërnda në këtë grup dhe papritura ajo ishte cak i shumë mesazheve të shumta në rrjete sociale dhe thirrjeve telefonike nga burra të ndryshëm, pjesë e grupit “AlbKngs”.

Ndërkohë, ditë më parë, në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes lidhur me rastin “AlbKings” ka raportuar drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Agron Nezaj .

Ai tha se hetimet ndaj grupit kanë nisur në vitin 2023 dhe se në hetime është e përfshirë edhe FBI-ja, ndërsa tregoi se faqet janë të hapura në Rusi dhe të regjistruara në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndryshe, më 17 prill të këtij viti Policia e Kosovës arrestoi njërin nga administratorët e grupit ‘Albkings’, Edin Nevzati.

Ndërkohë, një ditë më vonë, më 18 prill Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Nevzatit. /Arbresh.info/

Të ngjashme