Google ADS

Katër fshatra në Podujevë të izoluar, ka mungesë të stafit mjekësor

13:51 | 16 Mars 2020
M. A.

Katër fshatra të komunës së Podujevës ndodhën në karantinë për shkak se një rast ka dal pozitiv nga virusi Covid-19.

Fshati Dumnicë e Epërme, Dumnicë e Poshtme, Llaushë e Epërme dhe Llaushë e Poshtme që nga dita e djeshme janë vetë izoluar banorët në shtëpitë e tyre.

Në këto fshatra vërehet një boshatisje totale nga banorët. Analisti Avni Islami i cili vie nga kjo anë në një prononcim për portalin arbresh.info ka treguar për gjendjen në të cilën ndodhen këto fshatra aktualisht.

Ai thotë se njerëzit i ka kapur frika dhe paniku. Nuk ka lëvizje të lirë, por, sipas tij ky është një vendim i duhur i Komunës së Podujevës.

“Në qendër të fshatit në Dumnicë të Poshtme vërehet një boshatisje totale e fshatit.  Tek njerëzit vërehet një frikë dhe pasiguri, një lloj paniku për shkak se lëvizja është e kufizuar. Gjatë luftës qytetarët kanë gjetur alternativa për të lëvizur, tash fshati është i mbyllur hermetikisht. Kjo dihet që është në të mirën e qytetarëve për shkak të mos përhapjes së virusit COVID-19. Mbyllja në karantinë e katër fshatrave, dy Dumnicave dhe dy Llaushave është vendim i drejt në mënyrë që sa më pak të kemi raste tjera”, tha ai për portalin arbresh.info.

Banorët kanë furnizime të mjaftueshme të ushqimit, sipas Islamit, por ajo çka ju mungon është informacioni se si duhet të veprohet në këso raste kur paraqiten nevojat e banorëve të bëjnë kontrolle te mjeku e edhe te atyre me sëmundje kronike.

“Banorët janë të furnizuar me ushqim për momentin  në të njëjtën kohë bisedova edhe me kryetarin e Komunës i cili tha se ekipet e emergjencave duke i përshi mjekët dhe zjarrfikësit dhe pjesëtarët e tjerë të emergjencave janë të gatshëm ta ndihmojnë fshatin dhe popullin”.

“Çka mund të vërej është mungesë e informimit për shkak se ka pacient që duhet të kurohen ose të shkojnë tek mjeku për kontrolle të zakonshme por edhe për të sëmurët kronik dhe kjo ende nuk e kanë bërë zgjidhjen e duhur. Është numër i madh i qytetarëve dhe komuna duhet të bëj sensibilizim se në cilat numra duhet të thërrasin”, u shpreh ai.

Ajo çka shihet shqetësuese është mungesa e stafit mjekësorë. Në katër fshatrat është vetëm një motër medicionale në shërbim.

Gjatë vizitës që ka bërë Avni Islami në ambulancën e fshatit ka parë vetëm një motër në detyrë.

“Në katër katune është vetëm një motër medicionale. Është dashur një ekip të jetë në qendër të ambulancës. Kur e vizitova unë ishte vetëm një motër medicionale”, tha ai.

Islami ka lavdëruar punën e palodhshme të Policisë së Kosovës duke thënë se po u përgjigjen katër fshatrave për çdo kërkesë dhe nevojë që ata paraqesin.

Gjatë ditës së djeshme, Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës bën të ditur se rasti pozitiv me Covid 19 që ka rezultuar në Podujevë është i gjinisë mashkullore.

“Rasti tjetër është nga Komuna e Podujevës, i gjinisë mashkullore, me moshë 62 vjeç i ardhur direkt nga Italia më 05.03.2020 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari“”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme