Google ADS

Kastrati: I vonshëm vendimi i Qeverisë Hoti që FSK të dërgohet në misionet paqeruajtëse, u frikësua se rrëzohet nga Lista Serbe

16:39 | 6 Janar 2021
L G

Kuvendi i Kosovës të martën më 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi Propozim-Vendimin e Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionet paqeruajtëse jashtë vendit.

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati në një prononcim për Telegrafin e ka quajtura shumë të mirë këtë vendim ani pse tha se është i vonuar.

Sipas tij kjo vonesë ka ndodhur për shkak se Qeveria Hoti është frikësuar nga Lista Serbe.

“Vendimi është shumë i mirë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe Republikën e Kosovës gjithashtu, por shumë i vonuar. Vonesa ka ndodhur sipas meje sepse Qeveria Hoti është frikësuar se Lista Serbe do t’i dal nga koalicioni dhe atëherë kjo qeveri do të binte. Vendimi i Qeverisë erdhi atëherë kur e kuptoi se Gjykata Kushtetuese ka votuar për rrëzimin e saj”, u shpreh Kastrati.

Kastrati shtoi se kjo për Kosovën është një e arritur shumë e madhe, pasi që sipas tij po fillojmë të bëhemi eksportues të sigurisë dhe Kosova po ec drejt anëtarësimit në NATO.

“Për FSK-në është një mundësi që të marr provat e ushtrisë amerikane dhe ushtrive tjera të NATO-s në operacione paqeruajtëse”, tha Kastrati .

Ish-komandanti i FSK-së më tej theksoi se vendimi që trupat e FSK-së të shkojnë në Misione Paqeruajtëse, është sinjal i mirë që Kosova në një të ardhme të afërt mund të bëhet anëtare e organizatave rajonale siç është Karta e Adriatikut dhe organizatave tjera globale deri te anëtarësimi në NATO.

“Qeveria e kaluar ka bërë shkurtime buxhetore dhe kështu ka ngadalësuar ecjen e përmbushjeve të kapaciteteve operacionale dhe blerjes të armatimeve dhe pajisjeve të nevojshme. Në të ardhmen Qeveria do të duhej që të ketë Ushtrinë një ndër prioritetet në ndarjen e buxhetit”, tha Kastrati.

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti tha se dërgimi i Kontingjentit të FSK-së në Iowa është konfirmim i rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka thënë se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë ndërkombëtar ushtarak.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme