I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.
Kasanof, zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet për një grup gazetarsh në Prishtinë, në fund të vizitës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës, të Listës Serbe dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.
“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.
Kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës është përballur shpesh me kritika nga SHBA-ja dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të disa veprimeve që ato i kanë cilësuar si të njëanshme – përfshirë heqjen nga përdorimi të dinarit serb dhe mbylljen e strukturave paralele serbe.
Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë ambasadorin në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kanë thënë se këto veprime ndikojnë në cilësinë e marrëdhënieve SHBA-Qeveri e Kosovës.
Kasanof theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara “mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik”.
“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.
Sipas tij, SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij.
Kjo, siç tha ai, përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit.
Kasanof tha, gjithashtu, se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të angazhohet me pjesëtarët e komuniteteve pakicë./REL/
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4
Drenusha-Sarës: Nuk ke ndjenja për Drilonin
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...