Kapet në Morinë kosovari me 13,420 euro të padeklaruara

14:12 | 4 Janar 2025
E.K

Një 41-vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht në gjendje të lirë pasi nuk deklaroi një shumë prej 13 420 eurosh në pikën e kalimit kufitar të Morinës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Policisë Kufitare kanë sekuestruar shumën në cilësinë e provës materiale dhe kanë referuar materialet në Prokurori. Shtetasi V. Z., banues në Kosovë, akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Procedimi penal nisi pas një kontrolli fizik në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ku shërbimet e Policisë Kufitare zbuluan shumën e padeklaruar, duke konstatuar shkelje të ligjeve në fuqi.

Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme./atsh.al

Të ngjashme