Vetëm dhjetë ditë para se të binte skela me shqiptarët në kantierin e Hamburgut, zyra përkatëse e qytetit pati konstatuar defekte. Procesi i sqarimit po vazhdon.
Në fund të tetorit, një skelë u shemb në Hafencity të Hamburgut, duke vrarë pesë persona me origjinë shqiptare. Autoritetet e kishin ekzaminuar nga afër vendin vetëm disa ditë më parë – dhe patën konstatuar defekte.
Sipas një informacioni të televizionit publik NDR, në disa pjesë të kantierit të madh të ndërtimit në vendin e quajtur Überseequartier, mungonte mbrojtja nga rënia. Pajisjet mbrojtëse personale të disa punëtorëve nuk ishin kontrolluar. Dhe: kantieri nuk ishte i sigurt kudo, që të mos dëmtohej askush në rast të rënies së objekteve.
Këto janë vetëm disa nga defektet e vërejtura në kantierin e dëmtuar të ndërtimit në Überseequartier nga Zyra e Rregulloreve të Ndërtimit dhe Inxhinjerisë Strukturore e Hamburgut. Dhe këto qenë konstatuar saktësisht dhjetë ditë para se një skelë e madhe të rrëzohej në një pus ashensori. Kjo del nga përgjigja e Senatit për një pyetje të kreut i grupit të CDU-së, Dennis Thering.
Pasojat nuk janë ende të qarta
Senati nuk thotë nëse – dhe nëse po, çfarë përfundimesh nxorrën autoritetet nga defektet në kantierin e ndërtimit. Thering shpjegon se siguria në kantieret e ndërtimit në Hamburg duhet të jetë një përparësi kryesore. Procedura penale në vazhdim duhet ta sqarojë çështjen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Skela me punëtorë ra në boshllëk
Aksidenti, i cili u kushtoi jetën pesë punëtorëve të ndërtimit nga Shqipëria ndodhi mëngjesin e 30 tetorit në kantierin e madh të ndërtimit në Überseequartier. Një skelë që mbante disa punëtorë ndërtimi ra nga kati i tetë brenda një boshllëku ashensori. Rreth 150 vetë nga ekipet e shpëtimit u mobilizuan për t’i shpëtuar punëtorët. Sipas informacioneve të siguruara, puna e shpëtimit ishte e ndërlikuar. Nuk është ende e qartë pse u shemb skela./DW
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...