Abrashi: Kandidimi im në Prishtinë garanton fitore (VIDEO)

11:29 | 25 Gusht 2017
M. A.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar sot zyrtarisht kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashin.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa, i bindur në fitoren e Abrashit në Prishtinë tha se ai do të ketë një fillim të vështirë pasi sipas tij, për katër vite nuk është punuar asgjë në Prishtinë, shkruan arbresh.info

“Abrashi është veprimtar i  kamotshëm i LDK-së. Jam shumë i bindur se Abrashi do ta ketë një fillim mjaft të vështirë në Prishtinë, sepse nuk është punuar asgjë në Prishtinë, është bërë vetëm zhurmë. Janë punuar vetëm punë që janë nisur sa kam qenë unë kryetar. Ne do të merremi me zgjidhjen e drejtpërdrejtë të problemeve me qytetarët. Do të punojmë në zhvillimin ekonomi, urban e të infrastrukturës, do të bashkëpunoj me të gjithë qytetarët, tha Mustafa.

E kandidati për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi tha se fokusi i tij si kryetar i Prishtinës do të jenë problemet e qytetarëve, të cilat sipas tij janë të shumta.

“Jam i nderuar për besimin që më ka dhënë LDK-ja për të garuar për të parin e Prishtinës. Koncepti im politik ka të bëjë që qytetari i Prishtinës të jetë në fokusin tim, qytetari ka problem me ngrohje, me ndriçim, me ndotje, me parking, me transport, dhe unë si kryetar do të merrem më këto çështje e nuk do të merrem me çështje rajonale e ndërkombëtare, nuk do të merrem me qeverinë, por do të bashkëpunoj me Kuvendin Komunal dhe qeverinë qendrore. Do të punojmë që Prishtina të duket si një qytet evropian.

Ai tha se buxheti i Prishtinës është shumë fleksibil për të ofruar zgjidhje për lagjet në Prishtinë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme